Një fenomen shqetësues po përsëritet çdo mbrëmje në rrugën “Bajram Curri”, në zonën e sektorit “Hekurudha”, në Plazhin e Durrësit, ku qytetarë të shumtë dhe pushues detyrohen të ecin në rrugë për shkak se trotuaret janë të zëna nga automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme.
Siç duket edhe në videon e dërguar në redaksinë e “DurrësLajm”, këmbësorët nuk kanë mundësi të përdorin trotuaret dhe detyrohen të lëvizin përgjatë rrugës, duke rrezikuar jetën përballë automjeteve, që qarkullojnë vazhdimisht në këtë aks.
Trotuaret përgjatë kësaj rruge janë pothuajse tërësisht të bllokuara nga automjete të shumta, duke e bërë të pamundur kalimin e qytetarëve, prindërve me fëmijë, të moshuarve apo pushuesve.
Zona e Plazhit është një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur mbushet me qytetarë dhe turistë që zgjedhin të shëtisin gjatë orëve të mbrëmjes.





