Një mbrëmje mes kinemasë, muzikës dhe kujtimeve të Durrësit ishte konceptuar aktiviteti kulturor që u mbajt në sheshin “Liria” të premten.
Dhjetëra qytetarë dhe turistë patën mundësi të ndiqnin live një koncert instrumental me muzikën e filmave të kompozitorit Haig Zacharian dhe dokumentarin “Kur Durrësi bëhej Film”.
Qyteti bregdetar buzë Adriatikut ka qenë shpesh, para viteve 90, një sheshxhirim për filma të njohur të kinematografisë shqiptare si “Horizonte të hapura”, “Ilegalët”, “Dora e ngrohtë”. Nisur pikërisht nga vëmendja që Durrësi kishte nga regjisorët, producentja Blerina Shtylla dhe skenaristja Brunilda Liçaj realizuan dokumentarin “Kur Durrësi bëhej film”, i cili sillte në vëmendje filma, artistë dhe kujtime të kinematografisë shqiptare të lidhura me Durrësin.
Nën moderimin e aktores Ema Andrea të pranishmit ndoqën për më shumë se një orë muzikën e kompozitorit Zacharian dhe përjetuan me nostalgji përmes dokumentarit dhe rrëfimeve të artistëve, që ishin bërë pjesë e tij, një copëz Durrës, që ruhet në memorien kolektive të qytetarëve përmes filmave të kohës, e që ndryshon shumë nga panorama që ofron tani qyteti pas disa dekada transformimesh të rëndësishme.
M.B.





