Një avion ushtarak i tipit Phantom u rrëzua në Tanagra në Greqi gjatë një demonstrimi ajror, në rrethana që deri tani mbeten të paqarta.

Menjëherë pas rrëzimit ndodhi një shpërthim dhe sipas raportimeve, avioni u rrëzua gjatë fluturimit demonstrues.

Deri në këto momente nuk ka informacion zyrtar nëse dy pilotët përdorën sistemin e katapultimit. Avioni kishte kryer pjesën e parë të demonstrimit dhe gjatë rrotullimit të dytë duket se humbi kontrollin. Gjithashtu raportohet se pilotët ndoshta nuk arritën të shtypin butonin e katapultimit, por kjo pritet të verifikohet pas operacionit në zhvillim, që po kryhet në këto momente.

Aksidenti ka ndodhur para syve të mijëra të pranishmëve që ndodheshin në këtë demonstrim, të quajtur Athens Flying Week, i cili zhvillohet çdo shtator në këtë aeroport ushtarak.