Largimi i Jul Dedës nga “Fiks Fare” është shoqëruar me një tjetër histori që po bën zhurmë, këtë herë jashtë ekranit. Në media ka qarkulluar pretendimi se aktori dhe moderatori, pas përfundimit të eksperiencës së tij në emision, qëndron pas një faqeje në Instagram që sulmon kolegë dhe ish-kolegë nga Top Channel, por edhe personazhe të TV Klan dhe Syri TV.
Pretendimet e lidhin këtë aktivitet me pakënaqësinë e Dedës pas largimit nga “Fiks Fare”, duke e interpretuar si një lloj hakmarrjeje ndaj njerëzve të televizionit.
Jul Deda ka reaguar publikisht dhe i ka mohuar kategorikisht akuzat.
“Është shumë e rëndë të dëgjoj apo të lexoj këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar”, shkroi ai në Instagram.
Aktori këmbënguli se nuk ka lidhje me faqen në fjalë, duke shtuar:
“Edhe njëherë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di çfarë të bëj, në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson, s’kam ç’bëj. Faleminderit për mirëkuptimin.”

E gjithë historia vjen menjëherë pas konfirmimit se Jul Deda nuk do të jetë pjesë e “Fiks Fare” në sezonin e ri. Në drejtimin e emisionit do të jenë Olta Gixhari dhe Dorian Ramaliu, të cilët zëvendësojnë Jul Dedën dhe Xhemi Shehun.





