Nga Durrësi i fëmijërisë tek Edmonton-i i largët në Kanada
-Historia e njeriut që kudo shkoi, mori me vete zemrën e qytetit të tij
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Ka njerëz që kur ndahen nga jeta, lënë pas një boshllëk. Ka të tjerë që lënë pas një familje të pikëlluar. Ka edhe nga ata që lënë një rreth miqsh, disa fotografi, disa kujtime dhe emrin e shkruar në një gur. Por ka njerëz të tjerë. Ata janë më të rrallë. Kur largohen, duket sikur një pjesë e një qyteti, e një kohe, e një komuniteti dhe e një historie njerëzore largohet bashkë me ta. Ky është Hysen “Cen” Lika.
Më 14 gusht 2026, në Edmonton të Albertës, Kanada, u mbyllën sytë e një durrsaku që kishte mbajtur brenda vetes dy botë, Durrësin ku lindi, u rrit dhe u formua dhe Kanadanë, ku rindërtoi jetën e tij, familjen, profesionin dhe një pjesë të komunitetit shqiptar. Por Cen Lika, nuk i kishte ndarë asnjëherë këto dy botë. Nuk e la Durrësin kur iku. Durrësin e mori me vete.
E mori në kujtesë, në mënyrën e të folurit, në humorin e tij, në dashurinë për sportin, në marrëdhënien me njerëzit, në mikpritje dhe mbi të gjitha në atë nevojën e pandalshme për të qenë i dobishëm.
Edhe larg, shumë larg Adriatikut, Ceni vazhdoi të sillej si njeri, që kishte ardhur nga një qytet ku njerëzit njihen në rrugë, përshëndeten në lagje, ulen në kafe dhe ku miku nuk është vetëm mik, por pjesë e jetës. Ky është çelësi për ta kuptuar jetën e tij. Historia e Cen Likës, nuk është vetëm historia e një sportisti, trajneri, mësuesi, drejtuesi apo emigranti shqiptar. Është historia e njeriut, që në çdo vend ku jetoi, u përpoq të ndërtonte diçka që t’u shërbente edhe të tjerëve.
Në Durrës, ndërtoi njerëz përmes sportit. Në Kanada, ndërtoi komunitet përmes solidaritetit. Në familje ndërtoi dashuri. Dhe në kujtesën e atyre që e njohën, ndërtoi emër që nuk mbyllet me datën 14 gusht 2026.
Durrësi i Cenit, aty ku filloi gjithçka
Hysen Lika, u lind më 1 nëntor 1945. Durrësi qyteti i origjinës dhe i zemrës. Nuk ishte lindje e zakonshme, në kuptimin e lidhjes me qytetin. Vinte nga dy rrënjë të njohura durrsake, Lika dhe Hidri, familje që kishin historinë dhe gjurmët e tyre në jetën e qytetit. Kështu Cen Lika, nuk ishte thjeshtë banor i Durrësit. Ishte një nga ata njerëz, që qyteti i prodhon me karakterin e vet.
Durrësi ka detin, por ka edhe rrugët. Ka plazhin, por ka edhe lagjet. Ka sportin, por ka edhe atë lloj komunikimi njerëzor, që i bën njerëzit të lidhen përtej profesionit. Në këtë mjedis u formua Ceni. Dhe shumë shpejt sporti, u bë mjeti ku do të fliste me gjuhën e tij. Që në moshë të re, iu kushtua sportit. Boks, mundje, alpinizëm, edukim fizik disiplina të ndryshme, por në thelb një filozofi e vetme. Trupi të mësonte disiplinën, ndërsa shpirti të mësonte qëndrueshmërinë.
Nuk e njohu sportin vetëm si garë. Për të ishte dhe mbeti shkollë karakteri. I mësonte të rinjtë të binin dhe të ngriheshin. Të humbnin pa u turpëruar. Të fitonin pa u mburrur. Të punonin në grup. Të respektonin kundërshtarin. Dhe mbi të gjitha, të mos dorëzoheshin. Këtu do të gjendej nga sekretet e karakterit të tij. Ceni ishte vetë një sportist i jetës.
Në historinë sportive të Durrësit, ka pasur shumë emra. Ka pasur kampionë. Ka pasur trajnerë. Ka pasur drejtues. Ka pasur sportistë, që kanë fituar medalje dhe kanë ngritur trofe. Por ka edhe një kategori tjetër njerëzish. Nuk maten vetëm me medaljet e fituara siç ishte Cen Lika, por edhe me numrin e njerëzve që kanë frymëzuar.
Lika u bë mësues, trajner, drejtues dhe mentor. Është nga themeluesit e grupeve të para të organizuara alpiniste në Durrës, duke përfshirë vajza dhe djem nga shkolla të ndryshme në udhëtime dhe eksplorime në natyrën shqiptare. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e portretit të tij. Alpinizmi nuk është vetëm ngjitja në mal. Është të mësosh, se rruga drejt majës nuk është gjithmonë e lehtë. Është të pranosh lodhjen. Të presësh shokun që ka mbetur pas. Të ecësh kur rruga bëhet e vështirë. Dhe të shohësh nga lart jo vetëm një peizazh, por edhe një version tjetër të vetes.
Ishte kjo arsyeja që Ceni e donte natyrën. Kishte brenda vetes, atë shpirtin e njeriut që nuk kënaqet duke parë jetën nga larg. Duhet ta prekësh. Duhet ta provosh. Duhet të jesh brenda saj. Dhe sporti ishte mënyra, për të qenë brenda jetës.
“Lokomotiva” vitet kur u bë emër i njohur i sportit
Viti 1973, do të shënonte kthesë e rëndësishme në jetën profesionale të Hysen Likës. Emërohet inspektor i Klubit Sportiv “Lokomotiva” të Durrësit për sportet e rënda. Në atë pozitë, nuk u mjaftua me administrimin e detyrës. U përfshi. U bë pjesë e sportistëve. Pjesë e problemeve të tyre. Pjesë e gëzimeve të tyre. Pjesë e humbjeve dhe e fitoreve. Ky është shkaku, pse kujtimi i tij nuk lidhet vetëm me një zyrë apo një funksion. Ceni ishte në terren. Ishte pranë sportistit. Dhe sportisti e kuptonte shumë shpejt, nëse njeriu përballë tij e don vërtet sportin.
Ceni e donte. Dhe kjo dashuri solli rezultate. Përkushtohej ndaj sportistëve të rinj dhe zhvillimit të talentit durrsak. Ndërkohë kishte fituar respektin tek kolegët, miqtë dhe durrsakët. Në jetën e Cenit, kishte edhe një tjetër dimension. Nuk dinte të jetonte me frikën. Dhe kjo ndodhte, kur frika ishte instrument pushteti. Pasojat dihen.
Në vitin 1985, u shkarkua nga detyra e inspektorit të të Klubit Sportiv “Lokomotiva”, në kuadër të politikës së asaj kohe dhe nën pretekstin e “zbutjes së luftës së klasave”. Një goditje. Por jo fundi. Ka njerëz, që kur u merret një detyrë, humbasin veten. Ceni nuk ishte i tillë. Mund t’i merrje një zyrë, por nuk mund t’i merrje sportin. Mund t’i hiqje një titull, por nuk mund t’i hiqje pasionin. Mund ta largojë një sistem nga një post, por nuk mund ta largojë nga njerëzit. Dhe ai vazhdoi.
Pas largimit nga detyra e inspektorit, Ceni vazhdoi punën si mësues i edukimit fizik në shkollën “Kristaq Boshnjaku”. Sërish nuk qëndroi në një rol. Ishte trajner i ekipit të mundjes “Lokomotiva”. Drejtor i kampit veror të ndërmarrjes së ndërtimit në Durrës. Në këto pozicione, vazhdoi të merrej me formimin e brezit të ri, duke u bërë nga mësuesit, trajnerët dhe drejtuesit më karizmatikë e të respektuar të kohës.
Këtu shfaqen cilësi, që janë më të mëdha se ajo sportive, aftësia për të organizuar njerëzit. Organizatori i vërtetë, nuk është ai që jep urdhra. Është ai, që i bën njerëzit të duan të marrin pjesë. Ceni dinte t’i afronte të rinjtë. Dinte t’u fliste. Dinte t’i nxiste. Dinte t’u krijonte besimin, se mund të bënin më shumë nga sa mendonin. Kjo është arsyeja, pse figura e tij mbeti në kujtesë.
Bujana, dashuria që nuk e thyen kohët
Në një portret të Cen Likës, nuk mund të flitet vetëm për sportin. Sepse pas sportistit ishte burri. Dhe pas burrit ishte familjari. Në jetën e tij qëndroi Bujana. Gruaja me të cilën ndau 53 vite martesë. Bujana vjen nga familja Keçi e Tiranës, familje e goditur nga regjimi i kohës. Martesa e tyre ndodhi në një kohë, kur zgjedhjet personale shpesh kishin pasoja.
Ceni zgjodhi dashurinë. Dhe më vonë, së bashku me Bujanën, zgjodhi edhe një tjetër rrugë të vështirë, emigrimin. Por para se të vinte Kanadaja, ishte familja. Dy vajzat Tristi dhe Ani, ishin krenaria e tij. Më vonë erdhën dhëndurët, të cilët i konsideronte si djemtë e vet. Dhe pastaj nipërit, Carter, Tristan dhe Lincoln.
Në kujtimet e familjarëve dhe miqve, kjo del qartë. Ceni e kishte familjen në qendër të botës së tij. Ishte një baba, që donte të shihte vajzat të ecin përpara. Që u mësonte të mos pranonin kufizime. Të punonin. Të besonin tek vetja. Të mos dorëzoheshin. Dhe sakrificat e tij morën përgjigje. Tristi u bë avokatja dhe noterja e parë shqiptare në provincën e Albertës, ndërsa Ani u bë specialiste e kreditimit në TD Bank of Canada.
Për një baba, këto nuk janë vetëm arritje profesionale të fëmijëve. Janë dëshmi, se një pjesë e ëndrrës kishte marrë jetë.
Valixhet e një jetë dhe rruga pa kthim
Viti 1991. Shqipëria po ndryshonte. Shumë njerëz po largoheshin. Shumë familje po përballeshin me dilema, që nuk i kishin menduar. Ceni dhe Bujana, morën vendimin e vështirë për t’u larguar nga Shqipëria. Qëllimi. Për t’u siguruar vajzave, jetë me më shumë mundësi. Pas një viti në Greqi, më 19 qershor 1992, familja mbërriti në Kanada si refugjatë politikë.
Edmonton. Alberta. Një botë e re. Larg Durrësit. Larg Adriatikut. Larg gjuhës. Larg miqve. Larg gjithçkaje që e kishte formuar. Por një gjë nuk kishte mbetur në Shqipëri. Ceni. Dhe bashkë me të, kishte shkuar edhe vullneti i tij. Nuk kishte rëndësi se ku ishte. Në Durrës apo Edmonton. Ai do të fillonte.
Emigrimi nuk ishte pushim. Ishte një tjetër betejë. Një njeri, që kishte qenë i njohur në qytetin e tij, duhej të fillonte nga e para në një vend të largët, me vështirësitë e gjuhës dhe të përshtatjes. Dhe çfarë bëri Ceni? U kthye tek ajo që dinte më mirë. Tek sporti. Trajnoi ekipe lokale futbolli. U mor me gjimnastikën. Pastaj u përfshi, në një nga ekipet universitare më të suksesshme të mundjes në Kanada, “The Golden Bears” të Universitetit të Albertës, ku punoi nga viti 1994 deri më 1997 dhe ku ekipi arriti disa tituj kombëtarë.
Kjo është një nga ato pjesë të jetës, që meriton të lexohet me vëmendje. Sepse tregon diçka shumë të thjeshtë. Ceni nuk e filloi jetën nga zero. E filloi nga përvoja. Dhe përvoja nuk humbet me emigrimin. Udhëton me njeriun. Dhe në rastin e tij, sporti ishte pasaporta e dytë.
Një durrsak në Kanada, kur malli për vendlindjen bëhet punë
E veçanta e jetës në Kanada, ishte ajo që bëri për shqiptarët. Ceni nuk u mbyll në jetën familjare. Nuk tha, tani kam hallet e mia. Ishte aktiv, në themelimin zyrtar të komunitetit të parë shqiptar në Edmonton dhe shërbeu si president për më shumë se dhjetë vite.
Është vepër kjo, që meriton të mos harrohet. Sepse komunitetet shqiptare në emigracion, nuk janë krijuar vetëm nga organizatat. Janë krijuar nga njerëz që hapën dyert. Nga ata që u tregojnë të ardhurve, ku të gjejnë punë. Ku të gjejnë shtëpi. Kë të pyesin. Kujt t’i drejtohen.
Dhe Ceni e bëri këtë. Komentet e bashkëkohësve të tij në Edmonton, janë dëshmi e mënyrës se si ai përjetohej nga komuniteti: “zemër e madhe”, bujari, mikpritje, ndihmë për shqiptarët, punë, shtëpi dhe mbështetje. Dhe këtu fjala është pothuajse e njëzëshme. Ceni ishte njeri i derës së hapur.
Në vitin 1996, Ceni hapi klinikën e të masazhit terapeutik, të specializuar në trajtimin dhe rehabilitimin e dëmtimeve sportive. Këtu historia e tij mori tjetër kthesë. Nga trajneri tek terapisti. Nga ai që përgatit trupin për garë, tek ai që ndihmon trupin të rikthehet pas dëmtimit. Klinika u drejtua dhe u zgjerua prej tij, për më shumë se 20-të vite. Trajnoi, përgatiti edhe terapistë të ardhshëm të Edmontonit. Pra, edhe këtu përsëritej e njëjta formulë, punë, dije, përkushtim dhe shërbim ndaj tjetrit.
Nuk ishte thjesht biznes. Sepse biznesi mund të matet me fitimin. Ndërsa puna e Cenit, matej edhe me njerëzit që ndihmoi. Me sportistët që u kthyen në veprimtari. Me pacientët, që gjetën tek ai një dorë ndihme. Me terapistët që mësuan prej tij. Dhe me reputacionin, që ndërtoi gjatë viteve.
Humori, buzëqeshja dhe shpirti i lirë
Ka edhe një Cen tjetër. Jo atë të zyrave. Jo atë të sportit. Jo atë të emigrimit. Por Cen-in që njerëzit donin. Njeriun me humor. Me energji. Me buzëqeshje. Me shpirt të lirë. Në kujtimet e komunitetit në Kanada,përshkruhet si njeri i zgjuar, bujar, punëtor, inteligjent dhe gjithmonë me humor.
Të tjera dëshmi e përshkruajnë si njeri me energji, shpirt rebel e të lirë, që guxonte të dilte kundër turmës, kur besonte se duhej mbrojtur ajo që ishte e drejtë dhe morale. Kjo e plotëson portretin. Hysen Lika, nuk ishte njeri i zakonshëm. Kishte temperament. Kishte bindje. Kishte humor. Kishte atë cilësi të rrallë, për të mos e humbur veten edhe kur jeta e vendoste përballë vështirësive.
Nuk donte vetëm sportin. Donte natyrën. Peshkimin. Gjuetinë. Udhëtimet. Shoqërinë. Por mbi të gjitha, familjen. Është një nga ato hollësi kjo, që e zbret një figurë të madhe nga piedestali dhe e sjell pranë nesh. Heronjtë e vërtetë të kujtesës, nuk janë gjithmonë ata që shihen në podium. Janë edhe ata, që ulen në një tryezë me familjen. Qeshin me nipërit. U tregojnë vajzave historitë e jetës. Ulen me miqtë. Bëjnë shaka. Dhe e jetojnë jetën, me të gjithë ngjyrat e saj.
Kështu duhet të kujtohet Ceni. Jo si fotografi e ngrirë. Por si njeri që lëviz. Që qesh. Që flet. Që organizon. Që ndihmon. Që ecën përpara. Tri nipërit janë vazhdimi i një dashurie. Carter, Tristan dhe Lincoln. Tre emra që për Cen-in nuk ishin vetëm nipër. Ishin një botë. Në dëshmitë e familjes dhe miqve, ata përmenden si pjesë e gëzimit më të madh të jetës së tij. Ndoshta këtu mbyllet rrethi.
Një djalë, që kishte nisur jetën në Durrës. Një sportist, që kishte rritur breza të rinjsh. Një emigrant, që kishte rindërtuar gjithçka në Kanada. Një baba, që kishte parë vajzat të ndërtonin karrierën e tyre. Dhe një gjysh, që e kishte gjetur tjetër herë rininë tek nipërit. Kjo mbetet trashëgimia më e bukur.
Ceni u largua, por rrugët që hapi mbetën
Më 14 gusht 2026, Hysen “Cen” Lika mbylli sytë në Edmonton Pranë tij Bujana, gruaja me të cilën ndau 53 vite jetë. Ishin vajzat Tristi dhe Ani. Dhëndurët. Nipërit. Familjarët. Njerëzit e dashur. Mbase në ato çaste të fundit, gjithë jeta i ka kaluar para syve. Durrësi. Rrugët e fëmijërisë. Sporti. Boksi. Mundja. Malet. “Lokomotiva”. Të rinjtë. Shkolla. Kampi veror. Vitet e vështira. Bujana. Vajzat. Valixhet. Greqia. Kanadaja. Edmontoni. Sportistët. Klinika. Komuniteti shqiptar. Miqtë. Dhe pastaj… Familja.
Kur gjithçka tjetër largohet, njeriu mbetet përballë asaj që ka dashur më shumë. Dhe për Cen Likën, ajo ishte familja. Por edhe njerëzit. Hysen Lika, nuk ishte njeri që e jetoi jetën vetëm për vete. E shpërndau edhe tek të tjerët. Kjo është arsyeja, pse fjalët e atyre që e njohën në Edmonton janë kaq të forta.
“Ceni, do të na mungosh.” “Ceni, nuk do të të harrojmë kurrë.” “Ceni, të kemi dashur shumë.” Dhe një fjali tjetër, ndoshta më e fuqishmja: “I paharruar Ceni!” Për mua, si durrsak që shkruaj për një durrsak, historia e tij ka edhe tjetër kuptim. Ceni ishte dhe mbeti, pjesë e atij Durrësi që e kishte sportin si kulturë qytetare. Durrësi i “Lokomotivës”. Durrësi i fushave. I palestrave. I bregut. I maleve, që durrsakët kërkonin përtej detit. I djemve dhe vajzave, që sporti i mësonte të ishin njerëz.
Në këtë histori, Hysen Lika nuk është një emër anësor. Është një kapitull. Një kapitull i çmuar i sportit durrsak. Një kapitull i jetës qytetare. Një kapitull i emigracionit shqiptar. Dhe mbi të gjitha, një kapitull i një njeriu që nuk u dorëzua. As kur e goditi sistemi. As kur iu desh të niste nga e para. As kur iu desh të përballej, me gjuhën dhe një shoqëri të panjohur. As kur duhej të rindërtonte profesionin. As kur duhej të krijonte komunitetin.
Gjithmonë bëri të njëjtën gjë. U ngrit. Ndoshta sepse kishte mësuar nga sporti. Ndoshta sepse kishte mësuar nga Durrësi. Ndoshta sepse kishte mësuar nga jeta. Por me shumë gjasa, sepse ky ishte vetë Cen Lika. Një burrë me energji. Me shpirt të lirë. Me zemër të madhe. Me një derë, që hapej për të tjerët. Dhe me një kujtim, që nuk mund të mbyllet bashkë me sytë.
Durrësi, ka një bir më pak. Edmontoni, ka një shqiptar më pak. Familja, ka një bashkëshort, baba dhe gjysh më pak. Por kujtesa ka fituar një emër. Ai është HYSEN “CEN” LIKA. Dhe emrat që kanë bërë mirë, nuk mbarojnë në ditën kur pushon së rrahuri zemra e tyre.
Ata vazhdojnë të jetojnë tek njerëzit që kanë prekur. Tek sportistët që kanë formuar. Tek miqtë që kanë dashur. Tek shqiptarët që kanë ndihmuar. Tek vajzat që kanë bërë krenar babanë. Tek nipërit që do ta kërkojnë në fotografi. Dhe tek një qytet i tërë, që edhe nga larg, do ta kujtojë si një nga bijtë e vet.
Sepse Ceni nuk e harroi Durrësin. Dhe tani është radha e Durrësit, të mos e harrojë Cen Likën.
Bujar Qesja
Durrës: 10 shtator 2026





