Deputetja demokrate e qarkut të Durrësit, Manjola Luku ka denoncuar përmes një postimi në rrjete sociale mbylljen e zyrës postare në Njësinë Administrative Ishëm.

Në reagimin e saj, deputetja nënvizon se Ishmi po mbetet pa shërbime dhe efektet e Reformës Territoriale të vitit 2015 ndihen shumë në ish-komunën më të lartë të bashkisë Durrës, sepse është lënë në harresë.

“Zyra Postare e Ishmit mbyllet përfundimisht. Një tjetër shërbim largohet nga qytetarët, duke i detyruar banorët të udhëtojnë për të marrë edhe shërbimet më bazike.

Që prej Reformës Territoriale të vitit 2015, Ishmi është lënë në harresë dhe është diskriminuar vazhdimisht në ofrimin e shërbimeve publike. Sot, në vend që shërbimet të afrohen pranë qytetarit, ato po largohen njëra pas tjetrës”,- shkruan Luku.

Duke u ndalur tek efektet negative që sjell për qytetarët mbyllja e kësaj zyre postare, Luku rendit kaosin dhe sorrollatjet me të cilat përballet kryesisht mosha e tretë.

“Mbyllja e Postës së Ishmit ka sjellë kaos dhe sorollatje për qytetarët, të cilët tashmë detyrohen t’u drejtohen zyrave të tjera postare, duke krijuar radhë, mbingarkesë dhe humbje kohe. Të moshuarit dhe banorët që kanë vështirësi në transport janë ata që e ndiejnë edhe më shumë këtë vendim.

Mbyllja e Postës nuk është thjesht mbyllja e një zyre. Është një tjetër goditje për banorët dhe një tjetër dëshmi e braktisjes së Ishmit nga institucionet”,- shkruan deputetja demokrate.

Sipas saj, kjo njësi administrative e bashkisë Durrës dhe banorët e saj meritojnë vëmendje institucionale, shërbime dhe trajtim dinjtoz.

“Banorët e Ishmit meritojnë shërbime aty ku jetojnë, jo kilometra rrugë, radhë dhe sorollatje për të marrë atë që shteti ka detyrimin t’ua ofrojë.

Ishmi nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një zonë e dorës së dytë!”,- e mbyll postimin e saj Luku.