Një automjet tip fuoristradë, i vjedhur disa kohë më parë, është gjetur i djegur në një tunel të vjetër ushtarak në zonën e Cerkovinës në Vlorë.
Ngjarja është konstatuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cerkovinën me fshatrat përreth.
Pas alarmit për zjarr, në zonë kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Në vendngjarje kanë mbërritur gjithashtu forcat e Policisë dhe grupi hetimor.
Nga verifikimet e kryera, përfshirë kontrollin e numrit të shasisë, ka rezultuar se automjeti ishte raportuar i vjedhur disa kohë më parë në fshatin Panaja.
Policia po heton edhe pistën nëse automjeti mund të jetë përdorur për veprimtari të ndryshme të paligjshme, përpara se të përfundonte i fshehur në tunelin e vjetër ushtarak.
Automjeti ishte brenda tunelit, në një zonë të izoluar dhe në një rrugë të paasfaltuar, çka ka bërë që prania e tij të mos konstatohej më herët nga banorët e zonës.
Policia ka nisur marrjen dhe administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që kanë lënë automjetin në tunel, si dhe e itinerarit të tij.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar se kur është sjellë automjeti në këtë zonë dhe për çfarë qëllimi mund të jetë përdorur.
Ndërkohë, si pasojë e djegies së automjetit, flakët kanë përfshirë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës.





