Një incident i pazakontë shoqëroi ceremoninë e varrimit të këngëtarit Giorgos Mazonakis në Varrezat e Treta të Athinës, ku qindra të afërm, miq, kolegë dhe fansa ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ceremonia mortore u zhvillua fillimisht në Kishën e Trinisë së Shenjtë në Nikea dhe më pas arkivoli u dërgua në varreza, ku u krye ceremonia e varrimit. Në përfundim, të pranishmit e përcollën këngëtarin me duartrokitje dhe këngë.

Por gjatë varrimit situata u tensionua për pak çaste, pasi disa prej të pranishmëve u përpoqën të afrohen dhe të shihnin më mirë ceremoninë. Për këtë arsye, disa persona hipën mbi varret pranë vendit ku po kryhej varrimi. Sipas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, dy ose tre persona shihen duke qëndruar mbi varre. Strukturat prej mermeri nuk i rezistuan peshës dhe presionit, duke u thyer dhe rrëzuar bashkë me personat që ndodheshin sipër tyre.

Pamjet e incidentit u publikuan në platformën X dhe u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta nga përdoruesit. Ngjarja ndodhi në një moment kur qindra fansa ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit, duke e shoqëruar ceremoninë me emocione të forta dhe duartrokitje.