Mbrëmjen e së martës nisi rrugëtimin edicioni i parë i festivalit “Dyrrachium International Theater Festival” me shfaqjen “Të verbërit” të interpretuar nga trupa e Teatrit Turk të Shkupit, në Maqedoninë e Veriut.

6 trupa nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania do të mblidhen në Durrës nga data 15 deri më 25 shtator për të vënë në skenën e improvizuar në Amfiteatrin artik të qytetit dhe Muzeun Etnografik shfaqje teatrore të zhanreve të ndryshme.

Siparin e festivalit e hapi drama “Të verbërit”, me regjisor Qendrim Rijani, e cila përmblidhte historitë e 11 njerëz të verbër, të cilët në një mjedis të panjohur dhe pa asnjë rrugëdalje zhvillonin udhëtimin shpirtëror të tyre përmes frikërave, kujtimeve, së kaluarës dhe botës së brendshme të individit.

Për aktorët, interpretimi në një skenë të hapur siç është amfiteatri mund të mbartë probleme teknike, por emocionet për pjesëmarrjen në këtë festival ishin të mëdha.

Në përfundim të shfaqjes, publiku i pranishëm që ndoqi live dhe me titra në shqip interpretimet në gjuhë të huaj të trupës së Teatrit Turk të Shkupit duartrokiti lojën e aktorëve.

Të enjten do të ngjitet në amfiteatrin antik shfaqja e radhës e titulluar “Pylli” me regji të Erson Zymberit dhe e interpretuar nga trupa e teatrit “Bekim Femiu”, nga qyteti i Prizrenit. Në përfundim të edicionit të parë, juria e përbërë nga emra të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar do të shpallë fituesit e këtij festivali.

M.B.