Autoritetet shëndetësore në Frankfurt kanë zgjeruar monitorimin e mushkonjave në zonën e Aeroportit të Frankfurtit, pas disa rasteve të malaries, dy prej të cilave kanë përfunduar me vdekje.


Në fokus janë mushkonjat e gjinisë Anopheles, të cilat dyshohet se mund të jenë transportuar në Gjermani përmes fluturimeve ajrore.

Rastet e fundit, të identifikuara në lagjen Schwanheim, pranë aeroportit, kanë shkaktuar shqetësim tek banorët. Shërbimi Shëndetësor i Frankfurtit ka zgjeruar për këtë arsye programin e monitorimit të mushkonjave edhe në këtë zonë.

Linja telefonike e ngritur nga autoritetet shëndetësore po përdoret intensivisht, me rreth pesë deri në dhjetë telefonata në orë. Shumica e pyetjeve lidhen me mënyrat e parandalimit dhe mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave.

Në qershor dhe gusht, gjashtë punonjës të Aeroportit të Frankfurtit u diagnostikuan me malarie. Dy prej tyre humbën jetën.

Sipas autoriteteve shëndetësore, asnjë prej personave të prekur nuk kishte udhëtuar më parë në zona tropikale dhe as nuk kishte marrë transfuzion gjaku. Për këtë arsye, u ngrit dyshimi se infeksionet mund të jenë shkaktuar nga mushkonja Anopheles të infektuara, të transportuara në zonën e aeroportit përmes fluturimeve ajrore.

Malaria nuk transmetohet drejtpërdrejt nga një person te tjetri. Zakonisht, transmetimi ndodh përmes pickimit të një mushkonje të infektuar.

Sipas Shërbimit Shëndetësor të Frankfurtit, rastet e reja lidhen me formën më të rrezikshme të sëmundjes, të njohur si malaria tropikale.

Për të përcaktuar nëse rastet e fundit kanë lidhje me ato të mëparshme, mostrat e gjakut të pacientëve do të analizohen nga një laborator i specializuar për sëmundjet tropikale në Antverp të Belgjikës.