Vlera e investimit të sektorit bankar në filiale dhe shoqëri të kontrolluara ka arritur vlerën e 14.9 miliardë lekëve ose rreth 62 milionë eurove
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e aksioneve dhe e instrumenteve të ngjashme të kapitalit të zotëruara nga sektori bankar në fund të muajit korrik të këtij viti ishte në rritje vjetore me 14%. Megjithatë, vlera e investimit në shoqëri të kontrolluara është ende më e ulët në raport me vlerat më të larta historike, të shënuara në fillim të vitit 2022, me afërsisht 18 miliardë lekë.
Investimi në filiale dhe kompani të kontrolluara zë një peshë mjaft të ulët në strukturën e aseteve. Në fund të korrikut, vlera e këtyre investimeve përbënte vetëm 0.6% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar.
Vlera e investimeve të sektorit bankar në filiale është e balancuar në kompani brenda vendit dhe jashtë vendit. Aksionet dhe kapitali në bizneset jorezidente përbën rreth 51% të totalit për sektorin bankar shqiptar në fund të muajit korrik, për një vlerë totale prej 7.6 miliardë lekësh.
Investimet e sektorit bankar në ndërmarrje jorezidente lidhen kryesisht me degë dhe filiale të bankave shqiptare në Kosovë. Që prej vitit 2008, aty ushtron aktivitet dega e Bankës Kombëtare Tregtare, që në vitin 2019 u shndërrua në njësi të veçantë, e ndarë nga banka mëmë në Shqipëri. BKT Kosovë ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit dhe pjesa më e madhe e instrumenteve jorezidente të kapitalit i takon kësaj kompanie. Gjithashtu, në fund të vitit 2020 në Kosovë nisi aktivitetin edhe banka e dytë me kapital shqiptar, Credins Bank.
Megjithatë, duke qenë se investimi në njësi të kontrolluara jashtë vendit bëhet në valutë të huaj, vlera e këtyre investimeve, e raportuar në Lekë, po ndikohet negativisht nga kursi i këmbimit. Euro po ndjek një cikël të vazhdueshëm rënës në kursin e këmbimit me Euron. Në pesë vitet e fundit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 25%, ndërsa në dekadën e fundit rënia ka arritur në 33%.
Megjithëse në pakicë, me rreth 49% të totalit, investimet në kompani rezidente janë më të shumta në numër dhe kryesisht janë të alokuara në institucione financiare jo-bankare.
Investimet e bankave në filiale në Shqipëri janë të vendosura kryesisht në institucione financiare jobanka me aktivitet në fushën e qirasë financiare, në shoqëri administrimi të fondeve të pensionit dhe të investimit, në tregje dhe depozitarë të letrave me vlerë, si dhe, në vitet e fundit, edhe në institucione të parasë elektronike.
Megjithatë, edhe për shkak të zhvillimit të dobët të tregut financiar jo-bankar në Shqipëri, vlera totale e kapitalit të investuar në këto shoqëri ka një vlerë relativisht të vogël, me gjithsej 7.3 miliardë lekë./ Monitor





