-Tre vëllezër, një familje qytetare, një histori sporti dhe deti, që mbetet e gjallë në kujtesën e qytetit

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Emri i një familjeje në udhën drejt historisë

Ka fotografi, që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime. Mjafton t’i shikosh me vëmendje dhe pas atij çasti të ngrirë në kohë, të fillosh të ndjesh lëvizjen e një historie të tërë. Një dorë mbi sup, një buzëqeshje e përmbajtur, një vështrim që duket sikur ka mbetur diku larg, në vitet e rinisë, në shëtitoret e Durrësit, në brigjet ku deti ishte njëkohësisht lojë, pasion, shkollë jete dhe arenë përballjeje.

Në fotografinë që më ka rënë në duar, janë tre vëllezërit Kapexhiu. Janë Shaqiri, Sabriu dhe Syrjai, emra të njohur të sportit durrsak, notarë të dalluar të “Lokomotivës” së Durrësit, njerëz që e lidhën jetën e tyre me ujin, detin, disiplinën sportive dhe atë dashuri të veçantë, që qyteti ynë ka pasur gjithmonë për notin e vaterpolon.

Pranë tyre qëndron koloneli 90-të vjeçar Lutfi Shehu, figurë që e plotëson këtë tablo jo vetëm me praninë e tij, por edhe me një lidhje të drejtpërdrejtë familjare. Është kushëriri i parë i gruas së Sabriut, Hatixhe Çiçkos, të cilën të gjithë e thërrisnin me dashuri Xhixhi.

Kjo nuk është vetëm fotografi e katër burrave. Është takim mes kujtesës sportive, historisë familjare dhe qytetarisë durrsake. Në të bashkohen deti, familja, puna, shërbimi, miqësia, martesa, fëmijët, pensioni, vitet që ikin dhe një qytet, që nuk duhet t’i humbasë njerëzit e vet të çmuar.

Nëse Durrësi, do të kishte një album të madh të sportit, emri i familjes Kapexhiu kishte për të zënë vend të dukshëm. Jo vetëm për rezultatet në not, jo vetëm për pjesëmarrjen në garat e kampionateve, por edhe sepse pas këtyre tre vëllezërve, qëndron traditë e tërë familjare. Traditë që nis me ardhjen e Rizait nga Dibra e Madhe, vazhdon në rrugët e lagjes Sefer Efendiu, kalon nëpër punën e ndershme, shërbimin ushtarak, detin, anijet, sportin dhe familjet e krijuara, për të mbërritur deri tek kjo fotografi, ku e shkuara dhe e tashmja duken sikur janë ulur pranë njëra tjetrës.

Riza Kapexhiu nga Dibra e Madhe, në Durrësin e punës dhe të detit

Çdo histori familjare ka një pikënisje. Ndonjëherë ajo gjendet në një shtëpi të vjetër, në një oborr të vogël, në një rrugicë të ngushtë, në një kujtim të përcjellë nga gjyshërit. Herë të tjera, nis nga një udhëtim. Një njeri lë vendlindjen, merr me vete emrin, kujtesën dhe shpresën dhe kërkon të ndërtojë, jetë të re diku tjetër. Për familjen Kapexhiu, nga këto pika të rëndësishme është Riza Kapexhiu, i lindur në Dibër të Madhe në vitin 1860. Në vitin 1896 mbërriti në Durrës. Ishte koha kur qyteti bregdetar, po zhvillohej si qendër tregtare, portuale dhe shoqërore, ndërsa njerëzit që vinin nga krahina të ndryshme, sillnin me vete zakonet, aftësitë dhe energjitë e tyre.

Rizai nuk erdhi për të qëndruar si kalimtar. Durrësi u bë vendi ku do të ndërtonte jetën, familjen dhe të ardhmen e pasardhësve. Pesë vite pas ardhjes, filloi punë në ambasadën angleze, ku shërbeu si roje dhe korrier. Aty punoi për shumë vite, deri sa doli në pension. Kur jeta kërkonte përkushtim, qëndrueshmëri dhe respekt për punën, Rizai ndërtoi profilin e qytetarit, që e fitoi vendin e vet përmes shërbimit dhe korrektësisë. Nuk la pas vetëm një mbiemër. La shembullin se si një familje, mund të vendosë rrënjë në një qytet dhe të bëhet pjesë e tij.

Bashkëshortja Zybidar Kapexhiu, e lindur në vitin 1871, ishte shtylla tjetër e kësaj familjeje. Lindi dhe rriti katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Në shtëpinë e tyre nuk u rritën vetëm fëmijë, por edhe një brez, që do të lidhej ngushtë me jetën qytetare të Durrësit. Familja ndërtoi shtëpinë në lagjen Sefer Efendiu, hapësirë e njohur e qytetit, ku jetonin edhe familjet Burhan Truma dhe Shaban Murati.

Në këtë lagje, ku njerëzit njiheshin, përshëndeteshin dhe ndanin gëzimet e shqetësimet e përditshme, Kapexhinjtë u bënë pjesë e asaj jete të përbashkët, që krijon identitetin e një bashkësie..

Në këtë mjedis, u rritën fëmijët e Rizait dhe Zybidarit. Mes tyre ishin Shaqiri, Sabriu dhe Syrjai, tre vëllezër që do të merrnin udhë të ndryshme në jetë, por që do të bashkoheshin në një dashuri të veçantë, notin dhe detin.

Kështu historia e Kapexhinjëve, nuk nis në një stadium, as në një pishinë të ndërtuar posaçërisht për gara. Nis në një shtëpi qytetare, në një familje që e kishte njohur punën, përkushtimin dhe jetën pranë portit. Pikërisht këtu duhen kërkuar, nga shpjegimet e lidhjes së fortë që këta vëllezër do të krijonin me ujin.

Shaqir Kapexhiu nga grupi i Pezës tek Flota Luftarake detare

Shaqir Kapexhiu, i lindur në Durrës në vitin 1922, ishte më i madhi ndër tre vëllezërit që do të lidhnin emrin e familjes me notin. U shkollua në qytetin e lindjes dhe në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, u përfshi në radhët e partizanëve të Grupit të Pezës.

Jeta e tij, do të merrte më pas drejtim të veçantë, të lidhur me detarinë, ushtrinë dhe shërbimin në strukturat e Flotës Luftarake Detare. Shaqiri kreu Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Bakusë, në specialitetin komandues të flotës luftarake detare shqiptare.

Bakuja, qytet i njohur për lidhjen e tij me detin Kaspik dhe traditat detare, do të bëhej etapë e rëndësishme e jetës. Jo vetëm u arsimua në fushën ushtarake, por edhe takoi vajzën ruse, Sashën, me të cilën u martua. Kjo martesë ishte urë mes dy botëve. Në jetën e Shaqirit u bashkuan Durrësi, deti shqiptar, shkolla ushtarake e Bakusë dhe një familje e re, e ngritur mbi lidhje njerëzore, që kapërceu largësitë gjeografike. Nga kjo martesë lindën dy fëmijë, Shpresa dhe Iliri.

Pas përfundimit të studimeve, Shaqiri filloi punë shtabin e Flotës Luftarake Detare në Durrës. Më vonë shërbeu në detyra të ndryshme dhe deri në daljen në pension, mbajti postin e zëvendëskomandantit në Shkollën e Flotës Luftarake Detare në Vlorë. Ishte karrierë që kërkonte disiplinë, njohuri profesionale dhe përkushtim. Detaria ushtarake, nuk ishte profesion i zakonshëm. Kërkonte përgatitje të veçantë, përgjegjësi dhe aftësi për të përballuar situata, që lidheshin me sigurinë, komandën dhe jetën në det.

Përtej uniformës dhe detyrës, Shaqiri kishte dhe tjetër identitet, atë të sportistit. Noti ishte pjesë e rëndësishme e jetës, pasion që e shoqëroi gjatë viteve të rinisë dhe e lidhi me dy vëllezërit e tjerë. Është e vështirë të ndash tek Shaqiri, detarin nga notari. Të dyja këto anë të jetës, kishin pikë të përbashkët detin. Deti ishte hapësirë shërbimi dhe përgjegjësie. Nga ana tjetër ishte fushë sportive, vend ku trupi vihej në provë dhe ku shpejtësia, forca e qëndrueshmëria merrnin formë.

Në vitet e jetës në Vlorë, Shaqiri vazhdoi të ishte i lidhur me botën e ujit. Bashkë me bashkëshorten ruse, Sashën, krijoi familje që do të ruante lidhjet me të dyja kulturat. Pas daljes në pension, familja u kthye në Durrës. Në këtë etapë të jetës, ndihma e Iliaz Rekës, shokut të punës dhe të luftës së Shaqirit, ishte e rëndësishme. I ndihmoi për nevojat e familjes dhe për sistemimin në qytet.

U kthye në Durrës, me jetë të pasur me përvoja, me miqësi të vjetra, me kujtime të detit dhe me një familje, që kishte kaluar nëpër etapa të ndryshme. Durrësi, qyteti i lindjes, e priti sërish. Dhe në rrugët e tij, në lagjen Sefer Efendiu, në kujtimet e miqve dhe në fotografitë familjare, Shaqiri do të mbetej nga figurat e brezit, që e lidhi jetën me detin, shërbimin dhe sportin.

Sabri Kapexhiu notari dhe lapsi i mprehtë i revizorit

Djali i dytë i familjes Kapexhiu është Sabriu, i cili u lind në Durrës në vitin 1925. Nëse Shaqiri mori rrugën e detarisë ushtarake, Sabriu do të ndërtonte jetë të lidhur me financën, administratën dhe kontrollin ekonomik, por edhe me sportin. U shkollua për financë dhe filloi punë në Fllotë si magazinier. Edhe shërbimin ushtarak e kreu në Flotën Luftarake Detare. Lidhje me flotën, mbeti tjetër pikë e përbashkët e familjes Kapexhiu, me detin dhe institucionet detare të qytetit.

Por jeta e Sabriut, do të merrte kthesë të dhimbshme. Në kohën e lirë, gjatë një veprimtarie peshkimi me lëndë shpërthyese, u aksidentua në dorën e majtë, në zonën e portit, pranë kalatës lindore. Aksidentet janë ngjarje, që të ndryshojnë rrjedhën e jetës. Qoftë vetëm një çast, mund të lërë pasoja të gjata, të ndryshojë profesionin, zakonet, mundësitë dhe mënyrën se si njeriu e sheh të ardhmen.

Për Sabriun, ky aksident solli ndryshim në punë. Pas ngjarjes, u sistemua si revizor në Ndërmarrjen Tregëtare të Ushqimit Socia, ku punoi deri në daljen në pension. Në këtë detyrë u treguar shumë korrekt dhe i kujdesshëm. Njeri i rregullit, i përgjegjësisë dhe i përkushtimit ndaj punës.

Por sporti nuk iu largua nga jeta. Sabriu ishte aktiv në not dhe doli disa herë kampion në distancat e shkurtëra. Dëshmon kjo, se lidhja me ujin nuk ishte dëshirë kalimtare e rinisë. Mbeti pasion i patjetërsueshëm, që kërkonte përkushtim, stërvitje dhe vazhdimësi. Noti ishte vendi ku provonte forcën, shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë. Në punë ishte i matur dhe i saktë. Në ujë, ishte garues. Në familje, ishte bashkëshort dhe baba. Në shoqëri mik, shok dhe qytetar i përkushtuar.

Sabriu u martua me Hatixhe Çiçkon, të cilën të gjithë e thërrisnin Xhixhi. Ajo vinte nga familje, me lidhje të njohura në jetën qytetare të Durrësit. Martesa e Sabriut me Xhixhin, e lidhi familjen Kapexhiu me tjetër trung qytetar durrsak. Dhe siç ndodh shpesh në qytete me histori zhvillimi, lidhjet familjare nuk kufizohen tek dy shtëpi. Shtrihen nëpër miqësi, krushqi, kujtime, profesione dhe marrëdhënie të krijuara ndër vite.

Hatixheja, ose Xhixhi, gruaja e Sabri Kapexhiut, ishte një prej këtyre figurave. Në kujtesën e njerëzve të Durrësit, lidhet edhe me magazinën e Punishtes së Ëmbëlsirave. Ky vend pune, nuk ishte vetëm hapësirë ku kryhej një detyrë. Ishte edhe një pikë takimi me njerëz, me histori, me marrëdhënie dhe me jetën e përditshme të qytetit.

Martesa e saj me Sabriun, krijoi një familje të madhe, me tri vajza dhe një djalë, Bardhylkën, Mirjetën, Arjanën dhe Julianin. Të katër fëmijët u rritën, krijuan familjet e tyre dhe vazhduan rrugën e jetës. Bardhylka, vajza e madhe, u martua me gazetarin Xhevat Mustafa. Kjo martesë e lidhi familjen me gazetarinë, profesion që në qytete si Durrësi, ka pasur gjithmonë rol të rëndësishëm në pasqyrimin e jetës shoqërore dhe kulturore.

Mirjeta, vajza tjetër, lidhi jetën me Besnik Dragun, specialist i njohur. Edhe kjo martesë u bë pjesë e rrugëtimit të familjes, duke sjellë tjetër profesion dhe tjetër përvojë në rrethin e saj. Arjana, vajza e tretë, u martua me mësuesin Ari Maluçi, me origjinë nga Leskoviku. Kjo martesë e lidhi familjen me botën e arsimit, me profesionin e mësuesit dhe me tjetër trevë të Shqipërisë.

Juliani, djali i vetëm i Sabriut dhe Xhixhit, ndoqi rrugën që lidhej drejtpërdrejt me traditën detare të familjes. Përfundoi Shkollën e Marinës në Vlorë dhe punoi gjatë gjithë kohs me anije tregtare. Fillimisht si oficer dhe më pas kapiten. Tek Juliani, duket sikur historia e familjes është kthyer sërish tek deti. Gjyshi Riza kishte ardhur në Durrës, qytet portual. Shaqiri kishte shërbyer në Flotën Luftarake Detare. Sabriu kishte kryer shërbimin ushtarak në flotë. Syrjai do të punonte në anijet tregtare. Dhe tani, në brezin pas tyre, Juliani do ta lidhte jetën me detarinë tregtare.

Parë kështu, historia e Kapexhinjëve fillon të marrë tjetër dimension. Nuk është më vetëm historia e tre vëllezërve notarë. Është edhe historia e brezit që erdhi pas tyre, e fëmijëve që u rritën në një familje me tradita pune, sporti dhe detarie.

Syrja Kapexhiu njeriu i anijeve

Syrjai i treti Kapexhi nga vëllezërit, do të bëhej edhe ky shumë i njohur në not. Por kaq i zoti edhe në detari. Në vitin 1937, Durrësi do të njihte tjetër Kapexhi që do ti shtohej kësaj dinastie të njohur. U shkollua në Durrës dhe kreu shërbimin ushtarak në Ansamblin e Ushtrisë. Pas kësaj, do të mësonte muzikën e dallgëve të detit, partiturat e së cilës do ti interpreton te gjithë jetën. U përqendrua në anijet e Fllotës Tregëtare Detare, duke bërë punë nga më të ndryshmet. Nëse Shaqiri shërbeu në flotën ushtarake, Syrjai e njohu detin përmes anijeve tregtare

Jeta në anije, nuk është e ngjashme me jetën në tokë. Kërkon përshtatje, disiplinë, durim dhe aftësi për të jetuar me largësinë. Detari mësohet të shohë brigjet nga një kënd tjetër. Njeh portet, udhëtimet, pritjet dhe kthimet. Në jetën e tij, deti bëhet njëkohësisht profesion dhe mënyrë të menduari. Dhe Syrjai e jetoi dhe e përvetësoi këtë botë.

Tre vëllezërit Kapexhiu, secili në mënyrën e vet, u bënë pjesë e një tradite që do të kujtohej në Durrës. Familja e Syrjait u shtua me dy djem Rizain dhe Bardhin, si dhe një vajzë. Fëmijët përbënin vazhdimësinë, e një dege tjetër të familjes Kapexhiu. Ishte me jetëgjati, duke mbyllur sytë në moshën 88 vjeçare, duke lënë pas kujtim të merituar.

Tre vëllëzërit Kapexhiu që e bënë notin dhe vaterpolin pjesë të familjes

Shaqiri, Sabriu dhe Syrjai ishin tre vëllezër të njohur në sportin e notit dhe sipas kujtimeve të përcjella për ta, dolën disa herë kampionë të vendit. Ata u lidhën me klubin sportiv të Durrësit, i njohur në periudha të ndryshme si “Lokomotiva” dhe Teuta, duke u bërë pjesë e historisë së notit dhe të vaterpolos së qytetit.

Në atë kohë, sporti i notit zhvillohej në kushte të ndryshme nga ato që njohim sot. Pishinat sportive, nuk ishin ende të përhapura dhe deti shërbente si hapësirë stërvitjeje e gare. Durrësi kishte përparësi natyrore brigjet e tij, portin, Currilat dhe hapësirat e tjera ujore. Por prania e detit, nuk mjafton për të krijuar kampionë. Duhet vullnet, stërvitje, disiplinë dhe mjedis që e mbështet sportin.

Familja Kapexhiu u bë e veçantë. Tre vëllezër nga e njëjta shtëpi, me të njëjtin mbiemër, të lidhur me të njëjtën disiplinë sportive. Kjo nuk ishte dukuri e zakonshme. Një vëlla mund të bëhet notar. Dy vëllezër mund të merren me të njëjtin sport. Por kur tre vëllezër ndërtojnë emër në të njëjtën fushë, atëherë kemi të drejtë të flasim për një traditë familjare, për një dinasti sportive.

Në kujtesën e qytetit, emrat e tyre shoqërohen me garat, me stërvitjet, me kampionatet dhe me vitet, kur sporti i notit kërkonte shumë më tepër se pajisje moderne. Kërkonte trup të stërvitur, zemër të fortë dhe vullnet për të përballuar ujin e hapur. Durrësi ka lidhje të natyrshme me ujin. Fëmijët rriteshin pranë detit, të rinjtë kalonin orë të tëra në brigje, ndërsa sportistët e notit, e shikonin detin si hapësirë, ku mund të stërviteshin dhe të provonin aftësitë.

Në një pishinë, kufijtë janë të përcaktuar. Në det, natyra ka gjithmonë fjalën e saj. Një ndryshim i erës, një dallgë më e fortë, një rrymë e papritur mund të ndikojnë në ritmin e garës. Prandaj, notarët e asaj kohe duhej të kishin jo vetëm shpejtësi, por edhe njohje të ujit. Në këtë mjedis u rritën edhe vëllezërit Kapexhiu. U përfshinë në garat e notit dhe sipas të dhënave familjare, u dalluan në kampionatet kombëtare.

Noti individual kërkon përqendrim, ritëm dhe përballje me kohën. Vaterpoli, përkundrazi, e shndërron ujin në një lojë kolektive. Atje sportisti nuk është vetëm notar. Është edhe pjesë i një formacioni, i një taktike dhe i një përgjegjësie të përbashkët. Në Durrës, vaterpoli kishte vend të rëndësishëm në traditën sportive. Ekipet e qytetit, u përfshinë në garat kombëtare dhe krijuan emra që u kujtuan gjatë.

Në këtë mjedis, lidhen edhe emrat e vëllezërve Kapexhiu me vaterpolin e Durrësit. Ndër emrat që përmenden në kujtesën e kësaj tradite janë Sul Tufa, Taq Dafa, Niko Kurani, Spiro Urumi, Dhimitraq Goga, Gjon Luli, Pëllumb Zito, Ilmi Kapllani, Kastriot Karamuço etj. sportistë që lidhen me vaterpolon dhe me periudhën kur Durrësi, kërkonte të ruante epërsinë në sportet ujore.

Për vëllezërit Kapexhiu, noti dhe vaterpoli, ishin dy anë të së njëjtës dashuri për ujin. Në njërën disiplinë, ata përballeshin me kohën dhe distancën. Në tjetrën, me kundërshtarin, topin dhe lojën e përbashkët. Këto dy disiplina, e pasuruan sportin durrsak dhe krijuan traditë, që do të vazhdonte edhe tek brezat e mëvonshëm. Në këtë histori, Kapexhiu është mbiemër, që nuk duhet të lihet në heshtje.

Emri që mbeti mbi valë

Durrësi është qytet, që nuk mund të shkruhet pa detin. Në çdo rrëfim, në çdo kujtim të vjetër, në çdo histori sporti, deti shfaqet si sfond, si personazh dhe si dëshmitar. Deti ka parë njerëz të nisen për udhëtime, të kthehen nga largësitë, të ndërtojnë shtëpi, të rrisin fëmijë, të punojnë, të luftojnë, të ëndërrojnë dhe të plaken. Ka parë edhe të rinjtë të hidhen në ujë, të provojnë fuqinë e tyre dhe të kërkojnë të bëhen më të shpejtë se dje.

Në këtë det, në këtë qytet dhe në këtë histori, emri i familjes Kapexhiu ka lënë gjurmën e vet. Rizai, i ardhur nga Dibra e Madhe, ndërtoi në Durrës jetën e familjes. Zybidari, bashkëshortja, rriti katër fëmijë dhe mbajti gjallë shtëpinë. Shaqiri, Sabriu dhe Syrjai e lidhën mbiemrin me notin dhe detin, ndërsa secili ndërtoi edhe një rrugë të veçantë në jetë, ushtrinë, financën, administratën dhe anijet tregtare.

Kur shohim fotografinë e tre vëllezërve pranë kolonelit Lutfi Shehu, kuptojmë se një histori familjare, nuk është vetëm histori private. Mund të bëhet pjesë e kujtesës së një qyteti. Vëllezërit Kapexhiu, nuk ishin vetëm tre notarë të mirë. Ishin pjesë e një kohe, kur sporti kërkonte shumë vullnet, kur deti ishte edhe pishinë edhe arenë. Ishin pjesë e traditës së notit të Durrësit. Dhe kjo traditë nuk duhet të humbasë.

Kur shumë emra të së kaluarës, rrezikojnë të zbehen, rrëfime të tilla kanë mision të rëndësishëm, të rikthejnë në dritë njerëzit që kanë ndihmuar, të mbledhin kujtimet e tyre dhe t’ua përcjellin brezave. Qyteti nuk bëhet i madh vetëm nga ndërtesat, rrugët dhe institucionet. Bëhet i madh edhe nga njerëzit që kanë jetuar në të, nga familjet që kanë punuar, nga sportistët që kanë garuar dhe nga ata që kanë lënë pas emër të respektuar.

Kur deti i Durrësit të pasqyrojë sërish dritën e mbrëmjes, dikush do të kujtojë emrat e tyre. Do të kujtojë Shaqirin, Sabriun dhe Syrjain. Do të kujtojë garat, stërvitjet, vaterpolon, familjen, lagjen dhe vitet që ikën.

Atëherë do të kuptojë, se emrat e mëdhenj nuk treten në ujë. Ata mbeten mbi valë, për sa kohë që dikush i kujton dhe i rrëfen.

Durrës: 18 shtator 2026

Në pamje, nga e djathta: Sabri Kapexhiu, Lutfi Shehu, Shaqir Kapexhiu dhe Syrja Kapexhiu.

3 gusht 1999