Nga MYZEJEN KONDURI

Dje u përcoll me nderime mes dhimbjes e krenarisë, Qëndrestaria që nuk u struk e trembur edhe pse e burgosën gjatë. Me Forcën e Idealeve të saj, bërtiste fuqishëm dhe me krijimtarinë e saj artistike, për Lirinë e Kosovës, për heronjtë e luftës, që padashur të kaloj Optikën e Gjykatës së Hagës, që e njollosi Luftën për Liri të Kosovës së shumëvuajtur dhe Heronjve të saj, zëri i saj do të gjëmonte me zemërim e mallkim për këtë turp.

Ishte vetë Flora që provoi dhunën, fyerjet, poshtërimin, por që qëndroi ballëlartë për Kosovën, djepin e saj. Zoti e di sa ka duruar. Ajo si Grua, Bashkëshorte, Nënë, Qëndrestare, Shkrimtare, dinte ta vishte shpirtin me mirësi. Ka qenë i bekuar kush e ka pasur pranë. Gjurmët që ka lënë Ajo në Luftë, si Deputete në Kuvendin e Kosovës, si Mjeke dhe si Shkrimtare e kanë bërë këtë Zonjë të nderuar, pjesë të Historisë së Kosovës, duke u bërë shembull Frymëzimi, me vlerat e mesazhet që përcjell.

Me krenari do të sjell në kujtesë, kur para 9 viteve, ideova përzgjedhjen e FLORA BROVINËS dhe EDITA TAHIRIT, në veprimtarinë tradicionale të “Grave të Suksesshme”, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, me Titullin “SIMBOL I GRUAS”, në vitin 2018.

RESPEKTI, LUMTURIA dhe DHURATAT SIMBOLIKE që e mbështollën atë ditë, lanë shenjën e vlerësimit e solidaritetit të Komunitetit të Grave & Vajzave Durrsake për këto Simbole Vlerash.

Kur FLORA e mirë, me atë zërin e butë e të ëmbël, me shpirtin që i gëzonte, pasi foli modestisht për veten e kontributin e dhënë në Luftë e Liri, e quajti një Ditë Mrekullie, praninë e saj mes Grave Durrsake që iu gjendën në krah familjeve kosovare që erdhën me zemër të thyer e plagët e tmerrshme të luftës.

Nuk e Mas emocionin që më përcolli dhe Mua. Më kujtoi që kur të botoja librin e ri për Fëmijë t’ia dërgoja… dhe do ta mbaj fjalën. Që nga ky organizim u vulos Miqësia e vërtetë me Të.

Të gjithë e dimë se Ajo ia fali veten Kosovës. Sigurisht Ajo s’donte të ikte, por Fati e zgjodhi. Në Kosovë e Shqipëri, do ta kujtojmë me mall e dhimbje dhe kujtimi e vepra e saj do të jetojë në zemrën e Popullit Kosovar e veçanërisht te Komuniteti i Grave të Kombit Shqiptar.

Duke e mbyllur këtë shkrim për këtë Trimëreshë të Kosovës, Simbol i Përjetësisë, e di që Malli për Flora Brovinën s’do të shuhet kurrë! Jeta nuk ka pafundësi. Vdekja ia mbylli sytë, po Ajo u largua duke bërë më të mirën për Popullin e Atdheun e Saj.