Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përcjellë një mesazh mbi bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në fushën e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.
Me anë të një postimi në Facebook, ambasada i referohet sesionit të 42-të të Trajnimit të Vazhdueshëm të Kapitullit Europian të FBINAA-së, që mblodhi së bashku 235 profesionistë të zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe e gjithë Europa.
Fokusi i aktivitetit ishte lufta kundër krimit të organizuar ndërkufitar dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese.
Po ashtu ambasada thekson se objektivi i bashkëpunimit është zbatimi më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta, si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri.

Postimi i ambasadës amerikane
Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta.
Nga 19 deri më 23 shtator, Sesioni i 42-të i Trajnimit të Vazhdueshëm i Kapitullit Europian të FBINAA-së mblodhi së bashku 235 profesionistë të zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe e gjithë Europa. FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së për të ndarë ekspertizë, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të luftuar krimin e organizuar përtej kufijve. Qëllimi ynë është i qartë: zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri.





