Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave janë angazhuar prej disa orësh në terren, në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Për shkak të rrezikut, është kryer evakuimi i personave që ndodheshin në një kompleks turistik, si edhe në një banesë private pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Në operacion janë angazhuar mjete dhe forca nga disa bashki, si Durrësi, Tirana, Shijaku, Kavaja dhe Kamza, ndërsa në mbështetje kanë mbërritur edhe forca të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Vetëm nga Bashkia Durrës janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe një autobot, ndërsa ndërmarrjet e bashkisë kanë vënë në dispozicion edhe 3 autobote të tjera.
Operacioni vijon në terren dhe mbetet i vështirë për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë. Ekipet po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të shmangin lëvizjet drejt zonës së rrezikuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencave.





