95 forca zjarrfikëse dhe këmbësorie, të angazhuara me 11 mjete, kanë punuar gjatë gjithë natës për izolimin e vatrave të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në zonën e Shën Pjetrit, në Gjirin e Lalzit.
Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako bën sot me dije se falë ndërhyrjes së forcave në terren, nuk ka asnjë dëmtim në hotele, resorte apo banesa të zonës.
Aktualisht, zjarri vijon në zonën e pyllëzuar kodrinore, ku terreni është i vështirë ndaj në operacionin e shuarjes është angazhuar edhe një helikopter, i cili po vijon ndërhyrjen nga ajri.
Sako shpreh mirënjohje nga ana e saj për të gjitha forcat zjarrfikëse, ato të këmbësorisë dhe ekipet e emergjencave që po punojnë në terren pa pushim, për shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronave të zonës





