Duke filluar nga data 5 tetor, Bashkia Durrës do të nisë zbatimin e sistemit të parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të përcaktuara.
Nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi doli sot në një konferencë për shtyp për të shpjeguar të gjitha detajet teknike lidhur me këtë proces.



Duke nisur nga dita e nesërme, e enjte 24 shtator, pranë njësive administrative do të nisë aplikimi i qytetarëve për t’u pajisur me kartën e rezidentit apo atë të abonimit, me vlerë 10.000 lekë të reja në vit.
Rrugët me pagesë në Durrës ndahen në dy zona administrimi A dhe B.
Në zonën A, tarifa është 100 lekë në orë, ndërsa në zonën B, tarifa është 40 lekë në orë. Qytetarët duhet të kontrollojnë zonën dhe tarifën përkatëse nëpërmjet sinjalistikës së vendosur në terren.
“Dua të theksoj një element shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe veçanërisht për banorët e këtyre zonave: gjatë periudhës nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi me pagesë në rrugë zbatohet vetëm nga e hëna deri të premten, në orarin 08:00–16:00.Pas orës 16:00, të gjitha rrugët janë pa pagesë. Kjo do të thotë se qytetarët që përfundojnë punën dhe rikthehen në banesat e tyre pas këtij orari mund të parkojnë pa paguar. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, parkimi në rrugë është pa pagesë të shtunën dhe të dielën.
Gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, orari i parkimit me pagesë është 08:00–20:00, nga e hëna deri të dielën“,- tha gjatë fjalës së tij nënkryetari Kallmi.
Ndërkohë, duke nisur nga data 8 tetor, do të nisë parkimi me pagesë edhe në 3 sheshe të mëdha publike të qytetit; tek sheshi “Jorgji Ziu” (pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve), “Vollga” si dhe tek parkimi pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
“Në këto sheshe aplikohet tarifim sipas kohëzgjatjes së qëndrimit, nga 100 lekë për qëndrimin deri në dy orë, deri në 500 lekë për qëndrimin nga 12 deri në 24 orë. Pagesa kryhet vetëm me kartë bankare nëpërmjet pajisjes POS”,- tha nënkryetari Kallmi.
Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me mbështetjen e rezidentëve. Banorët që jetojnë në rrugët me pagesë mund të aplikojnë për abonim vjetor me tarifë 10,000 lekë, për një automjet për familje.
Rezidentët mund të pajisen gjithashtu me vërtetim pa pagesë për parkimin në hapësirat publike të miratuara midis pallateve ku banojnë. Vërtetimi ose abonimi duhet të vendoset në një vend të dukshëm në xhamin e automjetit.
Aplikimi kryhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin. Njësia Administrative verifikon adresën dhe përputhjen e saj me rrugën me pagesë ose hapësirën publike të miratuar.
Për të aplikuar, qytetari duhet të paraqesë:
– dokumentin e identifikimit;
– dokumentin e pronësisë së automjetit;
– certifikatën e pronësisë së banesës, kontratën e qirasë ose një dokument tjetër që vërteton pronësinë apo përdorimin e banesës;
– vërtetimin e banimit të lëshuar nga Njësia Administrative përkatëse.
Pas verifikimit dhe miratimit të dokumentacionit, lëshohet abonimi vjetor ose vërtetimi i rezidentit, sipas rastit, brenda një afati prej pesë ditësh.
“Për sa u përket hapësirave publike midis pallateve, zbatimi i sistemit të parkimit për rezidentët do të fillojë vetëm pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse treguese në secilën hapësirë të miratuar. Deri në përfundimin e sinjalizimit, qytetarët duhet të orientohen sipas gjendjes dhe sinjalistikës ekzistuese në terren”- deklaroi nënkryetari.
Në të njëjtën kohë, bashkia bëri të ditur se ka pezulluar dhënien e lejeve për parkime për subjektet private.
“Gjithashtu, sqarojmë se aktualisht është pezulluar dhënia e lejeve vjetore të parkimit për subjektet që aplikojnë në rrugët e miratuara si rrugë me pagesë. Kjo masë lidhet me fillimin e zbatimit të sistemit të ri dhe me nevojën për administrimin e njëjtë të vendeve të parkimit në këto segmente rrugore”- tha nënkryetari i bashkisë.
Paralelisht me administrimin e vendeve ekzistuese, Bashkia Durrës po punon për shtimin e kapaciteteve të parkimit në këto zona.
Nënkryetari Kallmi deklaroi se “në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, është realizuar parkimi pranë Portit të Durrësit. Gjithashtu, Bashkia ka lidhur marrëveshjen për hartimin e projektit të zbatimit të një parkimi nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Për vitin e ardhshëm po shqyrtohet edhe mundësia e zgjerimit të sheshit të parkimit pranë shëtitores “Taulantia”. Këto ndërhyrje synojnë të rrisin numrin e vendeve të parkimit dhe t’i japin një zgjidhje më të qëndrueshme kërkesës në rritje, veçanërisht në zonat qendrore dhe turistike të qytetit.”
M.B.





