Mbrëmjen e së martës, publiku i pranishëm në amfiteatrin e Durrësit ndoqi nga afër interpretimin e aktorit bullgar Sevar Ivanov, i cili në këtë edicion të parë të “Dyrrachium International Theater Festival” u prezantua me monodramën “Qeni i vogël qeshi”, me regji të Ana Bateva.

Për rreth një orë, spektatori u përfshi në dramën e protagonistit Arturo Bandini, që përmes historisë së tij personale trajtoi një temë universale, dëshirën e gjithësekujt dhe përpjekjet e gjithsecilit prej nesh për t’u pëlqyer të tjerëve.

I nderuar me çmimin “Aktori më i mirë” në disa festivale ndërkombëtare, aktori Sevar Ivanov tha për “DurrësLajm” se ndihej shumë mirë që do të interpretonte në amfiteatër.   

“Vendi këtu është fantastik, sepse përfaqëson historinë antike të qytetit. Shumë ngjarje kanë ndodhur këtu. Jam shumë i lumtur që do të interpretoj këtu, para publikut durrsak, në një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore”.

Në një përballje mes egos, dëshirës dhe pritshmërive të botës, Arturo përfundon në një betejë me veten e tij, pasi ndërsa ëndërronte të bëhej shkrimtar i madh, realiteti ishte shumë larg pritshmërive të tij.  

Për regjisoren e shfaqjes, Ana Bateva, tema universale e monodramës do të jetë mjaft e kuptueshme nga të gjithë.

“Na pëlqeu shumë qyteti, deti, por sidomos trashëgimia kulturore. Jemi ndjerë shumë të mirëpritur këtu. Mezi po pres të vëmë në skenë shfaqjen, sepse tema që trajton personazhi i pjesës Arturo Bandini është universale dhe gjithkush mund ta gjejë veten në të”.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure do të vihet në skenë shfaqja e fundit “Cehov in love”, që do të interpretohet nga trupa rumune.  

M.B.