Nga Gëzim KABASHI

Kujtim Turku sapo kishte festuar ditëlindjen e 13-të, kur u bë fitues i Festivalit të parë të Këngës së Ushtarit në Tiranë.

Djaloshi nga Durrësi duartrokitet gjatë dhe ngjitet në podiumin e nderit si fitues me këngën “Skenderbegas”, kompozuar nga Nikolla Zoraqi me tekst të Adelina Mamaqit.

Ishte viti 1971 dhe këngëtari i ri ishte tashmë një emër i afirmuar në muzikën e lehtë shqiptare.

Gati dy vjet më parë, kur ishte ende 11 vjeç, një dëmtim i rëndë në këmbë e kishte penguar Kujtimin e vogël të interpretonte në skenën e madhe te Festivalit të Tetë të këngës në RTSH.

“Kisha fituar festivalin kombëtar  të shkollave të muzikës në Tiranë, kur bashkë me këngëtaren Rozeta Doraci më ftuan të këndoj këngën “Dhuratë për ditëlindje” që njihet tashmë me emrin “Globi rrotullohet” – tha gjatë kësaj interviste Kujtim Turku, duke shtuar se këngët konkuruese në atë periudhë interpretoheshin nga dy këngëtarë.

“Unë u aksidentova pak ditë para festivalit dhe organizatorët thirrën David Tukiçin, me të cilin kënga u bë Hit – shtoi Kujtimi, i cili nuk asnjë pishmanllëk për mungesën në festival.

Djaloshi, më vonë është bërë interpret i të dyja këngëve në skenën e Estradës së Durrësit, dhe në skena të tjera në mbarë vendin, por karriera e tij si këngëtar shumë shpejt filloi të zbehej.

Pa hequr dorë nga muzika ai u lidh më së shumti me kompozimin, duke u dalluar veçmas në këngët e festivaleve për fëmijë brenda dhe jashtë vendit.

Ëndrrat e fëmijërisë pranë sheshit “Liria”

Nuk besoj se ka ndonjë shtëpi, më afër sheshit të madh të Durrësit, se sa ajo e familjes Turku.

Bashkë me tre motrat dhe vëllain më të madh, Kujtimi, i dtl 13 prill 1958, u rrit në të njejtën lagje dhe me ta u ul në të njejtën klasë të shkollave artistike “Dalip Tabaku” dhe “Mujo Ulqinaku”,

Pasdite Kujtim Turkut i mjaftonte të dilte në sheshin “Liria” për të zbritur drejt portit në Shtëpinë e pionerit, godina e vjetër e së cilës nuk ekziston më.

“Për zërin tim atje kujdesej një mësues i shkëlqyer, Nazmi Mici. Edhe çmimin e parë të rëndësishëm e fitova kur këndova këngën e kompozuar prej tij me titull “Festojnë shamikuqët” – i kthehet Kujtimi viteve 1960-1970, duke u ndalur përsëri në shkollën muzikore të mësuesit të parë.

Pikërisht në atë periudhë djaloshi durrsak shpallet fitues i Medaljeve të arta dy herë radhazi: në Festivalin e Shkollave të Muzikës (Tiranë) dhe në atë të Ansambleve të Klasës punësore (Shkodër), ku ai aktivizohej prej kohësh, megjithëse ishte ende shumë I ri.

Kujtim Turku fiton vëmendjen e artistëve të njohur të kryeqytetit, ndërsa kompozitori Nikolla Zoraqi i kërkon të bëhet interpret i këngëve të tij: “Globi rrotullohet” me tekst të Fatos Arapit dhe “Skenderbegas” me tekst nga Adelina Mamaqi.

Mjaftoi një paraqitje në festivalet e radiotelevizionit, dhe Kujtim Turku 13-vjeçar bëhet këngëtari i preferuar I publikut. Ai ngjitet me sukses në skenat lokale, por muzika për të kalon nga piano dhe kitarra. Këngët italiane të Sanremos, e tërhiqnin, njëlloj si moshatarët e tij.

Kompozitor dhe nxënës

Ende nxënës në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, djaloshi nga Durrësi fillon të kompozojë këngët e para, të cilat zenë vend në Anketat e Radios.

Veçse Kujtimi nuk lejohet të këndojë këngët e tij. “Nuk e di pse ndodhte – thotë Kujtimi, I cili duket gjithnjë e më I painteresuar për atë që ka ndodhur me të në vitet 1980.

Imazhet që mungojnë në arkivën e Turkut, sidoqoftë zëvëndësohen sadopak nga këmbëngulja e fotografit durrsak Luan Jaupi, i cili na ofron dy foto nga interpretimet e personazhit tonë në skenë.

Koncepti i kantautorit ishte ende një shfaqje e huaj dhe e panjohur në Shqipëri. Sidoqoftë, megjithëse nuk ka famën e rinisë, kompozimet e tij vlerësohen.

Naim Kërçuku këndon këngën “Me valët këndoj”, kompozuar nga bashkëqyttetari i tij Turku. Këngën me titull “Udhëtimi i pare” e paraqet në anketë këngëtari Gramoz Burba.

Ai nuk heq dorë nga përgatitja e grupeve artistike në shkolla dhe në ndërmarrje. Fizarmonika mbi shpatullat e Kujtim Turkut bëhet mitike. Naim Nova e mbështet në veprimtarinë e tij, ndërsa për krijimtarinë Turku 70-vjeçar përmend kompozitorin Agron Xhunga.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Itali, durrsaku i kushtohet plotësisht kompozimit.

Ai punon në sistemin arsimor të qytetit si mësues dhe këngët e tij për fëmijë i gjejmë edhe në you tube. Shumë fëmijë i këndojnë ato me sukses në festivalet e qyteteve të ndryshme të vendit. Po ashtu edhe në qytete të ndryshme të Kosovës, si dhe në Maqedoninë e Veriut.

Tradita muzikore e vëllezërve Turku

Në vitet ’50 –’60 në banesën e vogël të familjes Turku u rritën dy muzikantë me vlera dhe tradita e tyre vijon edhe sot jashtë vendit.

Fagu, siç e thirrën gjithnjë vëllain e madh, Mustafain, u përgatit në shkollën e muzikës “Dalip Tabaku” të Durrësit. Pas studimeve të mesme në Liceun artistik ai u diplomua për violë në Institutin e Lartë të Arteve, ai rikthehet si mësues në shkollën “Mujo Ulqinaku”.

Kolegët e tij kujtojnë se Fagu kopjonte me dorë qindra partitura për formacionet orkestrale te mësuesve dhe të nxënësve.

Tashmë në Gjermani djali i tij violinist Rudens Turku ka një karrierë të shkëlqyer muzikore, njëlloj  Fjoralba e cila drejton një kompleks si interpretuese e muzikës jazz e folk, në Munih (Gjermani).

Ndërkaq, në studion e Kujtim Turkut, në pallatin që u ndërtua mbi shtëpinë e vjetër pranë sheshit “Liria” vazhdojnë të përgatiten plot këngë të reja.