Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës Elisabeta Mataj.
Ka qenë gjyqtari Xhevdet Lika, që mëngjesin e sotëm vendosi “zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.dhe liirimin e menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale”.
Mataj u vu në pranga në muajin korrik, pasi akuzohet së bashku me dy punonjëse të tjera të Postës për përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim, së bashku me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana.
Në korrik, Gjykata e Durrësit la në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” Dunin dhe Danën.
Ndërkohë hetimet për të 3 ish-zyrtaret vijojnë.
VENDIMI I GJYKATES:
- Pranimin e kërkesës të personit nën hetim Elisabeta Mataj.
- Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
- Urdhërohet personi nën hetim E. M. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.xx, Qyteti Durrës.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 25.09.2026





