Drama “Të verbërit”, e interpretuar nga trupa e Teatrit Turk të Shkupit, në Maqedoninë e Veriut është fituesja e madhe e edicionit të parë të festivalit “Dyrrachium International Theater Festival”.

Mbrëmja e së premtes uli siparin e festivalit teatror, të parit të këtij lloji të mbajtur në qytetin bregdetar, dhe juria profesioniste vlerësoi me çmimet “Shfaqja më e mirë”, “Shfaqja më e mirë ansambël” dhe “Regjia më e mirë” dramën “Të verbërit” e cila përmbledh historitë e 11 njerëz të verbër, të cilët në një mjedis të panjohur dhe pa asnjë rrugëdalje zhvillojnë udhëtimin e tyre shpirtëror. 

Fituese tjetër e madhe e kësaj nate dedikuar teatrit ishte drama “Si ne të dy” me regji të Violeta Trebickës. Dy emrat e mëdhenj të skenës shqiptare Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka, u vlerësuan me titujt “Aktorja më e mirë” dhe “Aktori më i mirë”.

Përgjatë 10 ditëve që mori jetë ky edicion i parë i “Dyrrachium International Theater Festival”, Durrësi u kthye në epiqendrën e debatit kritik për zhvillimin e teatrit në vendet ballkanike, gjë që u theksua gjatë fjalës së saj nga drejtoresha e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj. sirnkon

Gjatë mbrëmjes finale, orkestra e harqeve nën dirigjimin e Grid Krajës dhe aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” i falën publikut emocione të shumta me interpretimin mjaft të ndjerë duke kurorëzuar kështu një natë dedikuar kulturës, artit dhe magjisë së teatrit.

M.B.