Arkitekti i njohur Indrit Hamiti, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se është përzgjedhur ndër finalistët e konkursit ndërkombëtar “SHARE Architecture Awards 2026”, që vlerëson me çmime kompanitë arkitekturore, që kanë realizuar projektet më interesante, inovatore dhe të përsosura në fushën e arkitekturës.
Hamiti dhe studio Inceptio është bërë pjesë e këtij konkursi me projektin “Muzeu RON”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në Londër, Angli, në datat 3-4 dhjetor.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se projekti ynë, Muzeu RON, është përzgjedhur si finalist për çmimet “SHARE Architecture Awards 2026”.
Ceremonia “SHARE Architecture Awards”, që do të mbahet në Londër më 3-4 dhjetor 2026, njihet si një nga ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, duke bashkuar projekte të jashtëzakonshme, studio lider dhe figura të shquara nga komuniteti global i dizajnit.
Jemi të nderuar që Muzeu RON është përfshirë mes finalistëve të këtij viti dhe që jemi pjesë e një platforme ndërkombëtare kaq frymëzuese, e cila vlerëson përsosmërinë arkitektonike.
Me padurim presim takimin në Londër”,- shkruan Hamiti në rrjete sociale.





