Rikonstruksioni i fasadës së një godine shumëvjeçare 6-katëshe, në lagjen nr.4 të Durrësit është kthyer në mollë sherri mes shtetasit Xhuljan Gjergo, që disponon pronësinë e 75% të godinës dhe vëllezërve Shtama, të cilët zotërojnë një lokal dhe magazinë në katin e parë.

Konfliktet verbale që vijojnë prej muajsh kanë degraduar edhe në përplasje fizike, siç duket në këto sekuenca video, të datës 14 shtator, ndërsa palët respektive janë shoqëruar në polici.

Xhuljan Gjergo është pajisur më datë 25 dhjetor 2025 me leje nga bashkia Durrës për të bërë punime në fasadë, e cila rezulton e dëmtuar.

Më datë 18 maj të këtij viti, suvaja e rënë nga fasada e godinës vuri në rrezik jetën e kalimtarëve. Po ndërsa Gjergo kërkon të vijojë punimet, ai deklaron se po pengohet pikërisht nga vëllezërit Shtama.

Kemi një komshi në katin e parë, që nuk na lejon të bëjmë punime. Na pengon forcërisht, godet fizikisht punëtorët. Na shan të gjithëve. Nuk na lejon në asnjë lloj mënyre të punojmë mbi lokalin e tij. Na denoncon, bën kallëzime të rreme herë pas here. Na shoqërojnë në polici sapo fillojmë punimet. Ka ardh një moment që situata ka degraduar”,- thotë Gjergo.

Sipas inxhinierit Gjergo, pavarësisht se gjatë këtyre muajve ka tentuar të arrijë një marrëveshje me vëllezërit Shtama, kjo gjë nuk është bërë e mundur, për shkak të “gjobës” që i është vendosur.

“Duan të bëjmë një rikonstruksion në themel të godinës, të bashkëpunojmë. Unë do t’i rikonstruktoj lokalin nga e para, pa pagesë, me shpenzimet e mia. Të bëj vetratat nga e para dhe t’u jap një qira mujore për muajt që do vijojnë punimet, sipas marrëdhënies noteriale. Ndërkohë ata më kërkojnë që t’u jap dhuratë një apartament në katin sipër, në katin e parë të banimit, në këmbim të lejes së tyre për të vazhduar punën. Unë nuk e shikoj të arsyeshme që të paguaj haraç për të bërë punime në pronën time, në shtëpinë time”,- thotë Gjergo.

“DurrësLajm” komunikoi edhe me vëllezërit Shtama për të marrë versionin e tyre për konfliktin e vazhdueshëm. Jashtë kamerës na u tha se të dëmtuar janë edhe ata për shkak se prej muajsh kanë pezulluar shërbimin në lokal restorantin, që kanë në pronësi, për shkak të dëmtimeve që ka pësuar. Në emër të vëllezërve, shtetasi Sami Shtama tha se ata janë në pritje të një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët pranë një noteri.

Në mungesë të një marrëveshjeje, inxhinieri Gjergo i druhet përshkallëzimit të mëtejshëm të situatave të tensionuara, por edhe shembjes së mëtejshme të fasadës, që mund të vërë në rrezik jetën e qytetarëve.

“Sutuata ka degraduar në ballafaqim fizik. Unë jam inxhinier në profesion,nuk kam karakter të dal të zihem me grushta në rrugë. Punëtorët e mi kanë frikë të punojnë. Unë nuk mund të gjej forma të tjera për të mbrojtur veten time dhe punëtorët e mi, përveçse ta bëj këtë situatë publike. Nga momenti në moment, duke qenë se kanë filluar edhe reshjet, rrezikon që suvatimi të cedojë dhe nëse kjo ndodh rrezikohen jetë njerëzish”.

M.B.