Avokati i Popullit, Endri Shabani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës e cila kundërshtonte procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e tij në detyrën e Avokatit të Popullit. 

Në reagimin e tij, Shabani thotë se gjatë shqyrtimit të çështjes Avokati i Popullit ka ruajtur një paanshmërinë ndaj deputetëve kërkues dhe Kuvendit. Kjo duke mos mbajtur qëndrim mbi themelin e çështjes dhe duke ia lënë vlerësimin Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vendimi i dhënë nga GJK i jep përgjigje pikëpyetjeve të ngritura lidhur me procedurën e zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

Reagimi:

“Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.

Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.

Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.“