Vodhi në rrugën “Pavarësia”, automjetin e një poste, identifikohet dhe arrestohet 23-vjeçari. Ai u kap në qytetin e Beratit, ku kishte braktisur automjetin e vjedhur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një automjeti, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i punës së shpejtë hetimore u identifikua shtetasi E. G., i cili dyshohet se ka vjedhur në rrugën “Pavarësia”, automjetin e një poste, që kishte pako të porosive të ndryshme.

Shtetasi E. G. u kap nga shërbimet e Policisë Durrës, në qytetin e Beratit, në afërsi të vendit ku kishte braktisur automjetin e vjedhur.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi E. G., 23 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, ndërsa makina u sekuestrua.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.