Hetuesi që po shqyrton çdo aspekt të çështjes lidhur me vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis ka marrë në pyetje edhe anesteziologen me të cilën njëra prej infermiereve kishte komunikuar në telefon, në momentin kur këngëtari po i nënshtrohej procedurës së plazmaferezës.

Dëshmia e saj konsiderohet e rëndësishme, pasi mjekja e arrestuar dyshohet se mohon t’i ketë administruar qetësues Mazonakisit, ndërsa një prej infermiereve ka deklaruar se kishte telefonuar anesteziologen për të pyetur për antidotin.

Anesteziologia ka konfirmuar para hetuesit se e kishte marrë telefonatën nga infermierja. Sipas dëshmisë së saj, ajo nuk kishte komunikuar me mjeken në atë moment, por infermierja e kishte pyetur se cili ishte antidoti për propofolin. Anesteziologia është përgjigjur se nuk kishte antidot për të.

Ndërkohë, hetimet vijojnë në të gjitha drejtimet. Në dosje është përfshirë edhe dëshmia e një tjetër infermiereje, e cila ka deklaruar se një mjek u kishte thënë punonjësve të klinikës se ishin “të gjithë bashkëpërgjegjës” dhe se duhej të kishin “një qëndrim të përbashkët”.

Kjo deklaratë, sipas dëshmisë, ishte bërë gjatë fazës së hetimit paraprak, përpara nisjes së procedurës penale dhe ngritjes së akuzës për vrasje me dashje eventuale ndaj dy mjekëve.

Në një zhvillim tjetër, avokati Nikos Alexandris, i cili kishte marrë përsipër mbrojtjen e mjekes, ka hequr dorë nga përfaqësimi ligjor i saj. Në deklaratën zyrtare, ai tha se pas konsultimit me klienten e tij, palët kishin vendosur të ndërprisnin bashkëpunimin, pasi rrethanat aktuale të çështjes e bënin të pamundur përfaqësimin e saj nga zyra e tij ligjore.