Që nga dita e hënë po funksionojnë normalisht qendrat shëndetësore, poliklinikë dhe vizitat që kryhen në spitalin rajonal të Durrësit. Por shumë qytetarë kanë shfaqur ankesa gjatë kohës që prisnin për të kryer vizita ambulatore apo kryerjen e analizave laboratorike te Poliklinika e Specialiteteve. Ata shprehen se presin prej më shumë se 2 orësh dhe askush nuk ju jep një shpjegim.
“Kemi hallin e grumbullimeve. Kjo punë nuk është vetëm sot. I thashë bashkëshortit që në qoftë se nuk e marr koronavirusin sot, s’kam për ta marrë ditë tjetër”, shprehet një zonjë.
“Dorëzova letrat në 09:30 dhe na thanë që nuk ka internet. Ne nuk duam të gjejmë se kush e ka fajin, duam të mbarojmë punë e të ikim”, thotë një tjetër pacient që vuan nga astma.
Nga spitali rajonal Durrës bëjnë të ditur se radhët në mëngjes janë krijuar për shkak se qytetarët nuk repektojnë fashat orare, ashtu siç është përcaktuar koha e vizitës nga rekomandimet që lëshohen nga mjekët e familjes, të cilat janë (08:00 – 10:00; 10:00 – 12:00 dhe 12:00 – 14:00).
Nëndrejtori i spitalit rajonal Durrës, Gent Kavaja, shprehet se aktiviteti po kryhet në parametra normalë. Por janë tre fasha orare të ndryshme që prenotohen online nga mjeku i familjes, dhe shpesh ndodh që qytetarët të shkojnë më herët se orari i përcaktuar dhe kjo shkakton grumbullime dhe problematika në radhë.
Prej ditës së hënë gjithçka i është rikthyer normalitetit edhe në spital, duke lejuar edhe kryerjen e operacioneve që u ndërprenë për më shumë se 2 muaj për shkak të pandemisë së Covid-19.





