Kryeministri Edi Rama prezantoi në fund të javës së kaluar atë që ai e cilësoi revolucion digjital në Kadastër. Nga data 14 maj, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur lëshimin e dokumentit të pronësisë online.

“Mjafton një aplikim nga kompjuteri apo telefoni dhe qytetarët mund të marrin çertifikatën e pronësisë me anë të një procedure që zgjat maksimumi deri në 10 minuta”,– bën të ditur drejtori i ASHK Durrës, Artur Çobani.

Drejtori i Kadastrës nënvizon se pajisja me dokumentin e pronësisë duke aplikuar online eviton radhët e dikurshme në Hipotekë, por njëkohësisht edhe shërbimin e Postës Shqiptare, pasi dokumenti vjen në mënyrë elektronike me e-mail.

“Bëhet fjalë për rreth 1.8 milionë prona të shqiptarëve, që janë në sistem. Për pjesën tjetër të pronave që nuk janë ende të regjistruara do të vijohet me skanime të dokumentacionit dhe procedurat e tjera”,– thotë Çobani për DurrësLajm.

Nënshkrimi elektronik në dokumentin e pronësisë do të jetë nga të gjithë punonjësit që kanë të drejtën e nënshkrimit duke nisur nga hartografi, juristi apo drejtuesi i Kadastrës.

Ndërkohë, për të gjithë qytetarët që nuk dinë të aplikojnë, apo e kanë të pamundur aplikimin online tek e-albania, asistenca do t’i jepet në zyrat e Kadastrës Durrës nga një punonjës i institucionit.

Edhe pagesat e shërbimeve të Kadastrës mund t’i bëni online, përmes llogarisë suaj bankare. Për ata që nuk kanë kartë krediti apo debiti, mandat pagesa gjenerohet nga https://e-albania.al dhe qytetari e bën pagesën në bankë dhe e ngarkon në aplikim.

Në videon e mëposhtme, ndiqni të plotë prononcimin e drejtorit të ASHK Durrës, Artur Çobani si dhe shpjegimin e juristit të Kadastrës Grenald Leka, për të gjitha hapat që duket të ndiqni në e-albania për t’u pajisur online me dokumentin e pronësisë.

M.B.