Pika 2 e rendit të ditës së mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës pritet të hiqet nga votimi i ditës së nesërme.

Pika 2 ka të bëjë me votimin për “VIJIMIN E PROҪEDURËS SË MIRATIMIT TË PLANIT TË DETYRUAR VENDOR TË ZONËS 2, NJËSIA ADMINISTRATIVE NR.4, DURRËS”.

Bëhet fjalë për zonën e Rindërtimit në lagjen nr.18 në Durrës, ku, më 26 nëntor 2019, u shemb një pallat që u mori jetën 7 personave, Diena Karanxha dhe vajza e saj 8-vjeçare Eisela, nëna e Dienës, Rozeta Meçaj si dhe 4 anëtarë të familjes Reçi, mes të cilëve studentja Kristi Reçi, e fejuara e djalit të Ramës, Gregut. Në zonë është parashikuar ngritja e një memoriali përkujtimor në nderim të jetëve të humbura në këtë vend.

DurrësLajm mëson se megjithëse zona nr.2 e Rindërtimit ka tashmë planin e saj të detyruar vendor, ky plan është kundërshtuar nga banorë të zonës dhe ankesat kanë shkuar deri lart në qeveri.

Rreth 24 orë para votimit në Këshillin Bashkiak, plani i detajuar për zonën në fjalë është kthyer mbrapsht nga kryeministri Edi Rama, që ka kërkuar nga pushteti vendor në Durrës ndryshime në projektin e hartuar muaj më parë dhe që DurrësLajm e publikoi paraditen e sotme.

Zona  e marrë në studim ka një sipërfaqe prej 47.642m2 dhe pritej që aty të sistemoheshin 446 familje. Plani parashikonte gjithashtu shembjen e disa objekteve me dëmtime DS4 dhe ndërtesave informale 1-3 kate.

Nuk dihet ende me saktësi se cilat ishin kundërshtitë e banorëve të kësaj zone lidhur me planin e detyruar vendor për zonën nr.2 të Rindërtimit dhe çfarë rekomandimesh i ka dhënë kryeministri bashkisë lidhur me ndryshimet që duhet të bëhen në projektin ekzistues.