Autoriteti Portual Durrës ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar në mesditë se në Porto Romano ishte gjetur një minë e Luftës së Parë Botërore.
APD sqaron se gjatë punimeve për thellimin e Kanalit Hyrës në Portin e Durrësit, janë konstatuar disa objekte metalike nën ujë, të cilat për momentin nuk rezultojnë të jenë lëndë shpërthyese.
“Theksojmë se situata e paraqitur nuk përbën asnjë kërcënim për lundrimin detar në portin e Durrësit dhe operacionet e përpunimit të anijeve vijojnë normalisht.”, thuhet ndër të tjera në reagim.
REAGIMI I APD
SQARIM në vijim të interesimit të medias
Durrës më, 19.05.2020
Sqarojmë opinionin publik dhe median se ditën e sotme, gjatë punimeve për thellimin e Kanalit Hyrës në Portin e Durrësit, janë konstatuar disa objekte metalike nën ujë. Pas sinjalizimit ka nisur operacioni i përbashkët rikonjicionit nga Polumbarët e qendrës së zhytjes së Forcës Detare dhe të Forcës së Sigurisë Portuale Durrës. Ekipet e kërkimit kanë konstatuar, në afërsi të kanalit hyrës, praninë e metaleve të ndryshme, të cilat, për momentin nuk rezultojnë të jenë lëndë shpërthyese. Autoriteti Portual Durrës dhe Forca Detare do të informojnë publikun dhe median për rezultatet e operacionit të kërkimit. Theksojmë se situata e paraqitur nuk përbën asnjë kërcënim për lundrimin detar në portin e Durrësit dhe operacionet e përpunimit të anijeve vijojnë normalisht. Artur Mecollari Sherbimi Hidrografik





