Portieri Stivi Frashëri u largua nga Kukësi një vit më parë dhe iu bashkua Teutës, aty ku ka fituar më shumë eksperiencë. Këtë sezon me blutë ai po bën paraqitje mjaft të mira duke rënë në sy. Stivi Frashëri flet për periudhën e karantinës dhe jo vetëm. 

Stivi, si po i kaloni këto ditë karantine?

Dihet që kjo periudhë është shumë e vështirë, për ne lojtarët sidomos. Përveçse  jemi afër familjes, nuk ka asnjë të mirë tjetër sepse, me thënë të drejtën, u bënë shumë ditë me këtë mënyrë jetese.

Më në fund nis stërvitja. Të gjithë në fushë dhe nuk ka më përgatitje fshehurazi…

Po çfarë të bëjmë, dihet se si është kjo periudhë. Unë kam marrë një program, që trajneri ynë i portierëve, Rizvani, na ka dhënë, por edhe kujdeset klubi dhe stafi në distancë. Mundohemi që të bëjmë më të mirën, edhe pse situata është e pazakontë. Jam stërvitur këtë periudhë, kryesisht me ushtrime aerobike, por për fat në ambientet e shtëpisë sime private kam improvizuar disa ushtrime. Tashmë që do zbresim në fushë do të na ndihmojë shumë, se kur je vetëm është shumë e vështirë.

Është vendosur që do të luhet më 3 qershor. Një mendim tuajin nëse është më mirë të luhet?

Nëse do të ishte vetëm 2-3 javë hajde se do ta kalonim, por u zgjat goxha dhe mendoj se do të ketë ndikimin e vet. Unë shpresoj që të rinisë gara sa më shpejt. Fakti që është lënë më datë 3 qershor është pritur mjaft mirë nga ne. Shpresojmë që edhe qeveria të jetë në një mendje dhe të zbresim në fushë këtë të hënë, sepse nuk ka më kohë.

Por me masa, dhe jo si më parë, sërish e vështirë?

Po, do të marrim masa, sepse kështu po vepron gjithë bota. Në Shqipëri mendoj se janë gjëra që do të respektohen, sepse bëhet fjalë për të mirën tonë, në radhë të parë, e pastaj karriera. Tashmë ne duhet që të mendojmë për stërvitjen dhe për ndeshjet që na presin. Do të mësohemi edhe me kushtet e reja.

A mjaftojnë dy javë stërvitje për të qenë në formë pas dy muajsh e gjysmë ndërprerjeje të garës zyrtare?

Nuk mendoj se 2-3 javë janë shumë, sepse janë faktorë psikologjikë që ndikojnë apo dhe teknikisht e fizikisht. Por, uroj që të paktën të mos kemi dëmtime, sepse gradualisht do të kapim formën. Shpresojmë që të mos ndikojë për keq te secili prej nesh në radhë të parë dhe te skuadra.

Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen?

Unë jam i kënaqur dhe shpresoj që të luaj akoma më shumë, duke qenë se kam bërë mirë deri më tani. Por, në radhë të parë mendojmë vetëm që të kemi shëndetin, te familjarët tanë, miqtë e shokët e ta kalojmë sa më parë këtë situatë. Ka kohë për të bërë plane, të paktën unë kështu e mendoj. Në Durrës ndihem shumë mirë, sepse këtu lojtarët e gjejnë veten.