Aventura e sulmuesit nigerian Odeon Ighalo te Manchester United mund të përfundojë pas vetëm 5 takimesh të luajtura me fanellën e “djajve të kuq” edhe ato kryesisht të nisura nga pankina, gjatë të cilave arriti të dërgojë 4 herë topin në rrjetë.

Kjo pasi huazimi i 30-vjeçarit përfundon më datën 31 maj dhe më pas Ighalo do të duhet të kthehet në kampionatin kinez te Shanghai, duke qenë se kampionati i futbollit në Kinë pritet të startojë në muajin korrik.

Klubi kinez e ka bërë të qartë qëndrimin e tij se do të pranonte shitjen përfundimtare të Ighalos vetëm në këmbim të një shifre prej 25 milionë eurosh, të cilën Manchester United nuk ka ndërmend ta paguajë.

Aventura e Ighalos te Manchester United në fakt nisi me peripeci që në fillim, pasi sulmuesi nënshkroi vetëm në ditën e fundit të janarit për t’u bashkuar me “djajtë e kuq”, por shpërthimi i pandemisë Covid-19 e detyroi të qëndrojë për dy javë në karantinë.

Më pas iu bashkua skuadrës në stërvitje dhe arriti të shënojë dy gola në Europa League e dy të tjerë në FA Cup, por gjithsesi drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” nuk kanë ndërmend të shpenzojnë 25 milionë euro për një sulmues 30-vjeçar.

“Unë isha në formë të mirë dhe po filloja të marr minuta nga trajneri Solskjaer, por më pas erdhi ndërprerja për shkak të pandemisë, që më pengoi të tregoj se vlej për Manchesterin. Do të doja të qëndroja, por tani vendimi është në dorën e drejtuesve të dy klubeve, që duhet të gjejnë një marrëveshje”, u shpreh Odeon Ighalo.