Pas dy muajve të mbyllura, mes bizneseve që u rihapën sot janë parukeritë dhe qendrat estetike, por nën masa strikte sigurie.
“DurrësLajm” ishte në dy nga sallonet e bukurisë më të njohura të qytetit të Durrësit, për të ndjekur nga afër protokollin që po ndiqet për masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 e si do të funksionojë puna në këto qendra nga sot e në vazhdim.
Dori Kacani, parukiere dhe njëkohësisht pronare e “Sallon Vanity”, tregon se fillimisht ambientet janë dezinfektuar dy ditë më parë nga specialistët e shërbimeve higjieno-sanitare, teksa janë marrë të gjitha masat mbrojtëse me radhë.
“Duke filluar që nga hyrja jashtë me veshjen e qeseve, dezinfektimi i duarve, veshjet njëpërdorimëshe për klientet dhe stafin, veshjet e poltroneve, peshqirët të gjithë nëpër qese, deri te matja e temperaturës për çdo person që hyn në sallon”, tregon Dori.
Edhe nga “Sallon Iris”, ku dita e punës sot ka filluar më herët se zakonisht, Iris Cerloj tregon se nëse klienti nuk vjen i pajisur me masat mbrojtëse, është përgatitur vetë duke i ofruar ato, ndërsa kërkon dhe mirëkuptim nga ana e klientëve pasi puna ka filluar vrullshëm, ndërsa kufizimet duhen zbatuar.
Por këto subjekte rihapen me kosto shtesë, pasi në bazë të protokollit të verdhë të masave higjieno-sanitare, duhet të sigurojnë vetë pa ndërprerë për klientët dhe stafin veshje mbrojtëse njëpërdorimëshe, dezinfektantë etj, duke ndikuar kështu edhe në një rritje çmimesh, për të përballuar të gjitha shpenzimet deri në përfundim të situatës.
“Këto masa mbrojtëse kanë shtuar koston nga ana tjetër, sepse janë materiale që kushtojnë dhe përdoren një herë të vetme. Në këto kushte, kam ngritur çmimin me 100 lekë të rinj për secilën, që mendoj se klienteve nuk iu rëndon aq shumë sa do të më rëndonte mua në total për të gjitha. Kjo do të jetë vetëm për një afat të shkurtër, deri në përfundim të kësaj gjendjeje”, shprehet Irisi.
Ndërkohë që kërkesat kanë qenë të shumta e puna ka nisur me vrull, klientet durrsake që kanë pritur me padurim hapjen e parukerive, tashmë duhet të respektojnë ndër të tjera edhe radhën, distancën dhe të tregohen sa më korrekte në zbatimin e orarit.
S.L.





