Padyshim që dezinfektanti i duarve ka qenë aksesori që na ka shoqëruar kudo përgjatë gjithë kësaj kohe kur pandemia ka mbërthyer botën.

Higjiena personale dhe përdorimi i dezinfektantëve është një masë parandaluese ndaj koronavirusit e rekomanduar si nga OBSH, ashtu edhe nga autoritetet vendase.

Por për një pjesë, përdorimi i dezinfektanëve ka shfaqur efekte negative në lëkurë.

Dermatologia e njohur në Durrës, Xhiliola Doçi tregon në një intervistë për “DurrësLajm” se gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar raste klinike që kanë pasur dermatite të kontaktit nga përdorimi i shpeshtë i dezinfektanteve.

“Dezinfektantët kanë në përmbajtjen e tyre edhe alkool, edhe antiskeptit të tjerë të cilët të përdorur me shumicë shkaktojnë dëme në barrierën e lëkurës.”, thotë ajo.

Nisur nga kjo, dermatologia Doçi këshillon se për të mos dëmtuar lëkurën do të ishte më mirë që të bëhet larja e shpeshtë e duarve me ujë edhe sapun ndërsa thekson se përdorimi i kremave emollient-hidratues do të rikthente barrierën e dëmtuar.

Lëkura është pasqyrë e problemeve të brendshme që ka organizmi, ndaj për dermatologët, nuk është risi që shumë viroza karakterizohen me manifistime kutane në lëkurë, ashtu si edhe koronavirusi.

Duke u bazuar në studimet e bëra nga vendet e prekura nga COVID-19, dermatologia Doçi përmend shenjat që kjo sëmundje shfaq në lëkurë.

“Janë quajtur gishtat COVID, që janë të ngjashme me shenjat që na jep edhe morthi, pra me skuqje, me enjtje, me formimin e elementeve të ngritur me ngjyrë të kuqe në lëkurë apo formimin e elementeve të ngjashme me ato që na shfaqen kur kalojmë variçelën, lijën e pyllit.”, thotë ajo ndërsa vijon se sipas studimeve, personat që kanë patur problematika në lëkurë e kanë kaluar më lehtë këtë sëmundje.

G.D.