As për Emiljano Vilën nuk ka qenë e lehtë kjo periudhë, e megjithatë mungesën e futbollit po e kompenson me “Play Station”. Mesfushori nuk e kishte menduar që kjo situatë do të zgjaste kaq shumë, gjithsesi thekson se ngjeshja e ndeshjeve do të jetë e përballueshme.

32-vjeçari rrëfen se po stërvitet çdo ditë, duke respektuar programin e dhënë prej stafit teknik. Shpreson që qeveria të japë lajmin për rinisjen e aktivitetit, pasi Teuta nuk ka në plan që të heqë dorë nga objektivat.

Kupa e Shqipërisë është zyrtarisht në planet e “djemve të detit”, ndaj edhe durrsaku paralajmëron se do të bëjnë çmos ta marrin këtë trofe që i çon automatikisht në zonën “Euro”.

Emiljano, si kanë qenë këto ditë izolimi për ju?

Unë dhe familja ime jemi mirë e të sigurt, falë Zotit. Shpresoj që situata të normalizohet për të gjithë dhe të rinisë jeta normale.

Po shkon rreth dy muaj pa futboll, e mendonit që kjo situatë do të shkonte kaq gjatë?

T’ju them të drejtën, nuk e kisha menduar se do të zgjaste kaq gjatë kjo situatë e krijuar nga “COVID19”. Unë çdo ditë stërvitem pas planit që na ka dhënë përgatitësi atletik. S’e kisha menduar që do qëndronim kaq shume larg fushës, por shpresoj të rikthehemi të paktën në fund të muajit maj.

Tashmë që qëndroni më shumë në shtëpi, si po e kaloni kohën?

Po shoh më shumë TV, filma dhe seriale. Stërvitem, por njëherësh po luaj edhe futboll në “Play Station”.

A mund të presim që Teuta të ketë pretendime në Kupë dhe ta mbyllë sezonin në katër pozicionet e para, gjithnjë nëse rinis futbolli?

Po, shpresoj shumë te kompeticioni i Kupës së Shqipërisë. Është një mundësi e mirë për të marrë një trofe dhe për të shkuar në Kupat e Europës, derisa janë edhe më pak ndeshje. Shpresoj që kjo kohë të na ndihmojë në objektivat tanë. Ngjeshja do të jetë e pashmangshme, nëse kampionati do të rinisë.

A mund të ketë problem për ju nga ana fizike?

Unë mendoj se kjo nuk do të ndikojë. Do të përgatitemi mirë për të luajtur të gjitha ndeshjet deri në fund dhe pa probleme, pasi i kemi kushtet për të mbajtur veten në tonus.

Sa këshilla keni marrë nga stafi gjatë kësaj periudhe?

Po, stërvitem çdo ditë duke respektuar orarin. Stafi na ka dhënë një program për t’u përgatitur individualisht. Shpresoj që të jem në formën e duhur.

A keni një mesazh për këtë situatë?

Unë dua të them që të jemi të bindur ndaj këshillave të specialistëve. Në këtë situatë duhet shumë kujdes dhe të qëndrojmë në shtëpi.