Bota e sportit humbet një tjetër personazh të rëndësishëm nga koronavirusi. Së fundmi është ndarë nga jeta Amador Suarez Villa, ish-zëvendëspresidenti i Realit të Madridit nga viti 2006 deri në 2009-n, periudhë në të cilën Los Blancos kishin në krye Ramon Calderon.

Ai kishte 40 ditë që ishte nën kujdesin e mjekësve, por nuk ia ka dalë dot të fitojë luftën me koronavirusin.

Suarez ishte pronar i një kompanie që merret me kapjen dhe shitjen e produkteve detare, në çdo vend të botës, ndërkohë që në flotën e tij ishin plot 27 anije.

Sigurisht nuk mund të mungonte edhe një mesazh ngushëllimi nga Real Madrid.

“Real Madrid dëshiron të shprehë ngushëllimet e sinqerta dhe i dërgon familjes së Suarez dhe të dashurve të tij, gjithë dashurinë dhe mirënjohjen tonë. Gjatë kohës që ishte pjesë e bordit të klubit, skuadra e futbollit fitoi dy tituj kampionë dhe një Superkupë të Spanjës, ndërsa në basketboll fituam kupën dhe kampionatin.Suarez ishte anëtar i klubit të Real Madrid për 33 vite dhe ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, pasi vuante nga koronavirusi”, shkruhet mes të tjerash në deklaratën e Real Madrid në faqen zyrtare të klubit.