Përmes një statusi në Facebook, kreu i departamentit për pushtetin vendor në PD-në e Durrësit, Petro Vokopola, akuzon Edi Ramën, se duke e parë nga të gjitha këndvështrimet sipas tij, ky ka qenë dhe është Kryeministri me keqdashës ndaj Durrësit.

“Nuk e di nga i buron kjo patologji negative ndaj këtij qyteti ku dhe ka rrënjët e tij familjare. Një gjë është e vërtetë: Do të mbahet mend gjatë si Kryeministri antidurrsak!”.

Shkas, Vokopola ka marrë nga projekti i fundit për parkun që do të ndërtohet mbi vendgrumbullimin e plehrave të Porto Romanos, që Rama publikoi mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale.

Sipas Vokopolës, edhe herën e fundit, Rama u siguroi qytetarëve që plehrat morën fund dhe nuk do të hidheshin më, por jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por nuk pushoi në asnjë moment djegia e tyre dhe Durresi vazhdoi të qelbej.

STATUSI I PLOTË I VOKOPOLËS

Sot nga dhoma e propagandës u shfaq për të tretën herë projekti i plehrave në Porto Romano, zonë e cila do të kthehet në një park atraktiv për qytetarët. Herën e fundit, Rama u siguroi qytetarëve që plehrat morën fund dhe nuk do të hidheshin më, por jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por nuk pushoi në asnjë moment djegia e tyre dhe Durresi vazhdoi të qelbej. Me Durrësin kanë sabotuar aq shumë sa që të shkon në mendje që bëhet qëllimisht. 30% e qytetarëve të Durrësit e kanë të vështirë të sigurojnë paratë për mbijetesë, për ushqimin bazë, ndërkohë që është qyteti Port më i madh i vendit. Bashkia nuk ka ditur ta vjelë këtë pasuri për ta konvertuar në shërbime për qytetarët e saj. Durrësi ka prodhimin me të madh turistik në vend, por është nga më të varfërit. Jemi qyteti urëlidhës i jugut me veriun e Shqipërisë, urëlidhës me Europën por jemi të lënë pas dore. Durresi duhet të zhvillonte pjesën industriale e jo të lejonte të përqendroheshin të gjitha përtej Vorës, në Tiranë. Por që të realizohet kjo duhet një Kryetar Bashkie me këllqe, me vizion dhe me politika konkrete për ta çuar këtë qytet përpara dhe për të fituar dinjitetin e nëpërkëmbur. Durrësi më shumë se sot kishte nevojën e dorës së shtetit. Qindra familje enden rrugëve pa ditur fatin se çdo ndodhë me to. U morën vendime për prishjen e një sërë kopshtesh e shkollash sikur të ishin më urgjentet, ndërkohë shtëpitë e pallatet vazhdojnë duke pritur fatet e tyre në sirtar. Shtëpia është baraz jeta! Askujt nuk i hyn në sy asgjë po s’patën në rregull tempullin e familjes së tyre. Bonusin e qirasë e siguroi për 1 vit, por viti kalon shpejt. Çdo më bëhet më pas?! Apo do kemi fatin për kasetën e rradhës nga dhoma e propagandës? Një gjë është e sigurtë, e parë nga të gjitha këndvështrimet; ky ka qenë dhe është Kryeministri me keqdashës ndaj Durrësit. Nuk e di nga i buron kjo patologji negative ndaj këtij qyteti ku dhe ka rrënjët e tij familjare. Një gjë është e vërtetë: Do të mbahet mend gjatë si Kryeministri antidurrsak!