Fill pasi u ndal futbolli, Kenan Hreljiç mori valixhet dhe u nis drejt Bosnjës. Kjo kohë izolimi nuk është aspak e lehtë për të dhe sidomos kur dihet që në vendin e tij numri i të prekurve dhe vdekurve nga “COVID-19” është më i lartë krahasuar me Shqipërinë.
E megjithatë, frikën është munduar që ta kthejë në forcë. Stërvitjen nuk po e anashkalon, ndonëse daljet e tij nga shtëpia janë gjithnjë me masa dhe kur nuk ka shumë njerëz. Këtë e rrëfen vetë mbrojtësi 22-vjeçar, i cili mezi pret që të rikthehet në fushë, ndërsa paralajmëron se Teuta e tij do të kapë Kupat e Europës.
Kenan, si po i kaloni këto ditë izolimi dhe si është situata me Koronavirusin në Bosnje?
Që kur u ndërpre kampionati, bashkë me familjen u largova drejt Boshjës. Që prej asaj kohe jam në shtëpi. Falë Zotit jemi mirë dhe po përpiqemi të kujdesemi për veten. Këtu ka mbi një mijë të prekur nga Koronavirusi dhe gjithashtu 77 persona që kanë humbur jetën. Duke parë situatën ku ndodhet e gjithë bota, duhet të lutemi që kjo gjë të kalojë shpejt.
Çfarë bëni për ta shtyrë kohën në izolim?
Luaj letra dhe lexoj libra. Po kalojmë mirë këto ditë, sepse të gjithë kishim nevojë të qëndronim bashkë me familjen. Natyrisht qëndrimi vetëm në shtëpi nuk qenka i lehtë, sepse na mungon përditshmëria.
Është e vështirë për një futbollist që të qëndrojë i mbyllur?
Jeta pa futboll, është jo e lehtë. Ne kemi një jetë që merremi me këtë sport, është shumë e vështirë. Megjithatë, kur janë situata të tilla, normalisht që duhet të mësohemi dhe të respektojmë çdo rregull që është dhënë nga autoritetet përkatëse.
Keni zhvilluar stërvitje individuale?
Çdo ditë stërvitem sipas planit që na ka dhënë përgatitësi atletik. Edhe kur dal nga shtëpia, vendos maskën dhe dorashkat. Natyrisht, stërvitja “online” është ndryshe nga fusha, por situata e tillë është dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Nga shtëpia dal vetëm atëherë kur nuk ka shumë njerëz dhe bëj vrapime përditë duke mbajtur formën.
Me shpresën se kampionati do të rinisë në muajin e ardhshëm, ku e shikoni Teutën në fund të këtij sezoni?
Teutën e shoh më favorizuese për Europën. Shpresoj të kthehemi sa më shpejt në fushë.





