Aleksandër Kuro është një tjetër lojtar i Teutës që ndodhet jashtë kufijve. Që prej muajit mars ai gjendet në Gjermani, atje ku jeton me familjen e tij. Fakti që është në shtëpinë e tij, ia bën sigurisht më të thjeshtë këtë kohë karantine, ndonëse vështirësitë pa stërvitje në grup dhe futboll janë të mëdha.
Mbrojtësi me origjinë nga Gjirokastra, që karrierën më së shumti e ka në Greqi, na tregon si i ka kaluar këto dy muaj larg Durrësit dhe Shqipërisë. Për të vrarë mërzinë, biçikletën e ka pjesë të pandarë të tijën, por edhe librat e videolojërat.
Aleksandër, si po i kaloni këto ditë?
Momentalisht jam në Gjermani, te njerëzit e mi, ku po kaloj disa momente të bukura pranë tyre dhe familjes, pasi kjo mundësi nuk na vjen çdo herë. Ditën e kaloj duke lexuar shumë ose ndonjë lojë në celular.
Në një lloj forme po e shijoni këtë pushim të kushtëzuar?
Vetë profesioni që kemi, na bën të qëndrojmë shumë kohë larg familjes dhe në grumbullime me ekipin.
Është e vështirë për një futbollist që të qëndrojë i mbyllur në shtëpi?
Ndonëse për një futbollist është e vështirë të qëndrojë në shtëpi, pasi liria është diçka shumë e rëndësishme për të, është koha që kjo sfidë e vështirë të përballohet. Unë bëj thirrje të qëndroni në shtëpi dhe të respektojmë distancimin social.
Keni zhvilluar stërvitje individuale në Gjermani?
Kam respektuar orarin e lejuar, pasi edhe këtu situata nuk është e qetë. Jam duke u stërvitur sipas plan-programit që na ka dhënë stafi. Natyrisht bëj edhe ndonjë xhiro me biçikletë, sepse është mënyra më e mirë për të hequr pak monotoninë e këtyre ditëve.
A keni një mesazh për këtë situatë?
Unë dua të them që të jemi të bindur ndaj këshillave të specialistëve. Masat nuk ka arsye t’i përmend, sepse duke i përmendur, kalojnë në sensin tjetër. Në këtë situatë duhet shumë kujdes.





