Zënka me tifozët e Arsenalit afroi largimin e Granit Xhakës nga skuadra angleze. Pa shiritin në krah dhe i izoluar për më shumë se një muaj nga ekipi, mesfushori filloi të shihte rreth e rritull për një tjetër etapë të karrierës. Një nga zërat që u përsërit më shpesh ishte ai i transferimit te Interi, që në fund nuk u realizua pasi lojtari vendosi që të mos shkëputej nga “topçinjtë” të paktën deri në fund të sezonit.
Sipas Filip Senderos, ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe Milanit, ai do të ishte një goditje e madhe për klubin zikaltër nëse do të konkretizohej me një marrëveshje. Në një intervistë mbrojtësi zviceran ka shpjeguar se ka takuar Xhakën, por nuk ka dhënë informacione nëse dëshira e lojtarit është që të largohet në të vërtetë nga Anglia.
“E kam takuar muajt e kaluar. Ai është një lojtar i madh, shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe Arsenalin. Interi? I kam dëgjuar edhe unë këto zëra, nëse do ta blejnë do të bëjnë një goditje të madhe. Por nuk di të them me siguri nëse Graniti dëshiron të largohet nga Arsenali”, ishin fjalët e Senderos.





