Bledar Mancaku, një nga sulmuesit më të njohur të viteve të fundit në futbollin shqiptar ka treguar disa momente pikante nga karriera e tij dhe ekipet që ai i njeh më mirë, pasi ka luajtur në disa skuadra.

Ish-sulmuesi Bledar Mancaku, i cili aktualisht është pjesë e akademisë së Teutës, gjithashtu ndalet edhe te posti që ka marrë si trajner në akademinë e bregdetarëve, ndërsa zbuloi pengun më të madh nga karriera si futbollist.

Bledar, në këtë kohë karantine janë transmetuar disa ndeshje ku keni qenë pjesë dhe keni fituar trofe. Si ndiheni kur i shihini?

Janë emocione të bukura që kur i sheh, të rikthehen atë nostalgji të viteve kur kemi luajtur. Po, është e vërtetë, kam parë ndeshjen e fituar në 2005-ën, ndaj Tiranës. Më riktheu emocione pasi fituam edhe Kupën e Republikës, por edhe Kupa e Turqisë që kam fituar me Gençlerbirliginë në sezonin 2000-2001.

Kush është lojtari më i mirë me të cilin keni luajtur ndonjëherë në karrierën e tuaj, që e keni pasur në ekip?

Realisht unë kam luajtur në shumë skuadra në Shqipëri dhe me shumë lojtarë cilësorë, por do të veçoja Daniel Xhafajn, pasi kemi pasur një bashkëpunim të mirë në fushë. Njiheshim me sy mbyllur.

Kush ka qenë kundërshtari më i bezdisur për ju?

(Qesh) Shiko, në futboll gjatë një ndeshjeje ke shumë ngacmime apo dhe ndonjë zënkë. Vetë roli që kisha në fushë, më bënte të isha i mbuluar nga dy mbrojtës. Realisht, emër s’mund të them, por me cilësitë që kam pasur nuk më ka bezdisur asnjë kundërshtar.

Lojtari më shakaxhi ndër vite në ekipet ku keni luajtur?

Ka disa, pasi ne kemi luajtur në shumë skuadra me të njëjtët lojtarë, por them se Arlind Nora gjithmonë me thoshte: “Cake tre gishtat”, referuar goditjeve të dënimit. Por pa harruar dhe Arapin, Alikajn, Hodon e Gjondedën dhe ndonjë tjetër, që tani s’po e kujtoj.

Cila është ambicia më e madhe e Mancakut dhe a e mendoni stolin e Teutës?

Të them të drejtën, në këto moment jo, pasi dua të punoj me të rinjtë dhe kemi një projekt të gjatë me drejtorin e akademisë. Duam të punojmë fort me të rinjtë, në mënyrë që pas disa vitesh ekipi i parë të përfaqësohet me futbollistët durrsakë, por edhe për t’u bërë pjesë e kompeticioneve europiane.

Po pengu më i madh gjatë karrierës si futbollist?

Të them të drejtën, humbja e titullit në sezonin 2011- 2012 është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Atë periudhë për një javë rresht nuk më zinte gjumi, pasi nuk mendoja kurrë se do ta humbitnim. Në ndeshjen me Kamzën nuk isha pjesë e skuadrës dhe ai barazim bëri që ta humbitnim titullin.

Kush ka qenë shoku juaj më i ngushtë? Shoku më i ngushtë?

Pak pyetje delikate kjo, pasi unë kam kaluar mirë më të gjithë çunat në çdo skuadër, s’po jap asnjë emër këtu, sepse ndoshta ka ndonjë qejfmbetje (Qesh).

Cili është goli që nuk do ta harroni kurrë?

Gola janë shumë, po një nga ata që s’do ta harroj është ai ndaj Dacia Kishinaut në UEFA Europa League me Teutën në 2013-ën, ishte goli i tretë që vulosi fitoren e Teutës në atë ndeshje.