Për një futbollist është shumë e vështirë të qëndrojë i ngujuar në shtëpi dhe larg fushave. I tillë është edhe rasti i Rubin Hebajt, sulmuesit shkodran të Teutës, e megjithatë frika që i ka shkaktuar kjo pandemi është më e madhe. Ai po e përjeton me ankth këtë moment të pazakontë.

Rubin, si po i kaloni këto ditë izolimi dhe a e keni marrë veten ndopak nga kjo situatë që po përjetojmë?
Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe nuk e mendoja kurrë se do arrinim deri në këtë gjendje. Në fillim nuk e mora seriozisht, por masat u shtrënguan dhe kur dëgjoja se çfarë po bëhej në Itali, kuptova situatën. Atje po vdisnin qindra persona në ditë dhe mendova se rrezikoheshim vërtet shumë.

A është ky një moment reflektimi edhe për njerëzit e sportit, veçanërisht për ju lojtarët?
Po, është e vërtetë kjo, pasi kur e shikon në një këndvështrim tjetër, duket sikur është natyra që hakmerret ndaj nesh. Mushkëritë tona janë ato që po bllokohen tani me këtë virus. Duhet të na lërë një mësim të madh që ta duam planetin tonë dhe çdo gjë që ekziston në këtë tokë.

E gjeni motivimin e mëparshëm për t’u stërvitur?
Për mua si lojtar është vërtet shumë e vështirë. Më mungon shumë ajo monotonia e ditës. Stërvitja, ndeshjet, gjithçka. Jam adoptuar në shtëpi dhe tani bëj stërvitjet sa më lejon edhe vendi i shtëpisë. Qëllimi është për të mbajtur muskujt në formë.

Jeni “pro” rifillimit të kampionatit apo besoni se ky sezon duhet të mbyllet këtu?
Nuk mendoj se tani në këto momente e ka dikush mendjen te vazhdimi i kampionatit. Të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta kaluar këtë moment. Të qëndrojmë në shtëpi dhe të respektojmë rregullat e shtetit, që të dalim sa më parë nga kjo situatë.