Nga Gëzim Kabashi

E pajisur me doreza dhe maskë mjekësore mbrojtëse, Nevila Kalaja sa herë që del nga shtëpia e kthen kokën nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit. Violinistja e njohur ka përcaktuar prej kohësh programin, pjesëmarrësit dhe datat e Festivalit të Muzikës së Dhomës, që prej shumë vitesh organizohet në mjediset e këtij Muzeu.

Është një takim i përvitshëm me spektatorët durrsakë dhe ata që vijnë çdo mbrëmje nga kryeqyteti,” shprehet artistja.  “Në këto 15 vite nuk e kemi anuluar asnjëherë veprimtarinë,” shton ajo.

COVID-19 i ka prishur planet e Nevilës, por ajo refuzon të heqë dorë. Megjithëse epidemia ka pezulluar të gjithë aktivitet kulturore dhe mbyllur kufijtë, themeluesja dhe drejtorja e këtij festivali nuk i ka shuar shpresat që tingujt e muzikës së dhomës do të vibrojnë edhe këtë vit jubilar në sallat me eksponate të mbushur me relikte të antikitetit në Muzeun Arkeologjik.

Edhe ne e kemi planin B,” thotë me bindje Nevila. “Nëse dështojmë në verë, do ta zhvillojmë në shtator veprimtarinë, megjithëse kemi prenotuar për në korrik biletat e fluturimeve për artistët e huaj, si dhe për bashkatdhetarët që do të vijnë nga vendet fqinje,” shtoi ajo.

Sipas Nevilës, bashkë me instrumentistët vendas këtë vit në Festivalin e Muzikës së Dhomës pritet të mblidhen më shumë se 50 artistë të huaj nga Austria, Italia, Gjermania, Greqia dhe Franca, të cilët kanë programuar nëntë  koncerte të parashikuar të zhvillohen në fund të muajit korrik.

Festivali i Muzikës së Dhomës nuk është i vetmi aktivitet kulturor që kërcënohet nga pandemia e koronavirusit të ri SARS-CoV-2 këtë vit në Durrës.

“Pavarësisht nga tërmeti shkatërrues i 26 dhjetori dhe situata e krijuar pas pandemisë së Covid-19, Durrësi nuk duhet ti ndërpresë veprimtaritë e parashikuara kulturore, qoftë edhe duke i spostuar ato në kohë,” thotë pedagogu i Universitetit të Arteve Gjergj Prevazi, organizator prej 15 vitesh i Festivalit të Dansit Modern dhe Kontemporan, i cili ka sjellë në skenat e qytetit bregdetar artistë të shquar dhe më pak të njohur nga të gjithë kontinentet.

“Kur e nisëm, mungonin krejtësisht artistët shqiptarë të kësaj gjinie, ndërsa tani ata kontribuojnë në Shqipëri dhe në vende të tjera,” shton ai.

Ministria e Kulturës ende nuk e ka shpallur listën përfundimtare të projekteve fituese artistike për vitin 2020, pasi vështirësitë e javëve të kaluara e kanë bërë të pamundur komunikimin. Megjithatë, disa aktivitete të përvitshme janë anulluar tashmë.

Çaush Vathi dhe miqtë e tij piktorë e anuluan koloninë e artistëve figurative e cila parashikohej të mblidhej në fund të marsit.

Koronavirusi dhe vendimi i qeverisë për të bllokuar aktivitetet e bënë të pamundur zhvillimin e këtij edicioni, gjatë të cilit ishte vendosur të  eksploroheshin peizazhet e kodrave në jug të qytetit të Durrësit.

“Kishim vendosur 29 marsin si ditë të fillimit dhe këtë vit prisnim 32 piktorë, nga qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe nga Ballkani,” shpjegoi Vathi.

“Por ky ishte një vit i mbrapshtë dhe na i prishi programet,” u ankua ai.

Piktorët janë mbledhur çdo vit, jo vetëm në bregdetin e Durrësit, por edhe në Elbasan, apo në disa qytete të Italisë jugore. Çaushi shpreson që rreziku nga koronavirusi të vijë duke u zbutur dhe veprimtaritë kulturore të rikthehen në normalitet.

“Ashtu siç u vendos për hapjen e librarive dhe kioskave të gazetave, do të ishte mirë që të rikthehej sa më shpejt edhe tradita e ekspozitave të pikturës, apo fotografisë artistike,” thotë piktori, i cili thekson se është i vendosur që bashkë me miqtë artistë ta organizojë brenda këtij viti një nga kolonitë, kudo qoftë, në Durrës, Ulqin, apo në qytezat arbëreshe të Kalabrisë.

Arian Plaku dhe kolegët e tij, instruktorë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës janë ulur për të dytën herë para kompjuterëve, për të ndjekur interpretimet e instrumentistëve të vegjël dhe të rinj.

Më parë ata kanë ndjekur nga ekrani dhe kanë vlerësuar me çmime vizatimet dhe tablotë e nxënësve, të cilët megjithëse nuk ndjekin mësimet në shkollën artistike të qytetit, e zhvillojnë pasionin e tyre në kurset e QKF apo të artistëve të tjerë.

“Brenda ditës së mërkurë duhet të shpallim instrumentistin më të mirë dhe nuk është e lehtë, pasi jo vetëm janë mjaft të përgatitur, por janë kujdesur edhe për skenografinë që shihet pas tyre,” tregon Ariani, që ka një përvojë shumëvjeçare në përgatitjen e fëmijëve.

Tashmë, të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut nga koronavirusi, fëmijët dhe të rinjtë kanë përgatitur dhe kanë paraqitur online nga një mini-koncert në violinë, kitarrë, piano, klarinetë apo organo.

Nxënës të shkollave të ndryshme me moshë 6-15 vjeç, ata i bashkon pasioni për veglat muzikore, por edhe dëshira për ta sfiduar me artin e tyre rrezikun e pandemisë, që i ka mbajtur të mbyllur në shtëpi për disa javë.

Qendra Kulturore e Fëmijëve kishte planifikuar në qershor edhe Festivalin Ballkanik “Luajmë dhe vallëzojmë së bashku”, i cili në edicionin e 23-të priste pjesëmarrës edhe nga Venezuela, India, Ukraina, Italia, Turqia, etj.

Festivali që prej 23 vitesh mbledh më shumë se 500 fëmijë nga vendi dhe bota, këtë vit nuk do të zhvillohet, për shkak të koronavirusit.

“Jo vetëm kaq, por janë anuluar edhe takimet 3-ditore që ishin parashikuar në Durrës, Prishtinë  dhe Shkup,” shprehet Arian Plaku.

Vitet e fundit Durrësi ka krijuar një traditë të mirë festivalesh muzikore dhe artistike, ndërsa nuk kanë munguar edhe festat qytetare me tematika të ndryshme.

Një pjesë e tyre nuk do të zhvillohen për shkak të vështirësive financiare, ndërsa të tjera ndodhen në kushtet e shtyrjeve të panumërta të datave të zhvillimit.

“Askush nuk e kishte parashikuar një situatë të tillë në rang botëror,” thotë Gjergj Prevazi, i cili thekson se “çdo projekt që mbyll dyert për shkak të pandemisë apo për mungesë fondesh dëmton jo vetëm sezonin e ardhshëm kulturor të qytetit, por demoralizon edhe artistët e festivaleve simotra.”

“Kjo është një arsye më shumë për të mos u tërhequr dhe për të dëshmuar solidaritet mes nesh,” përfundon drejtori i Festivalit të Dansit Modern dhe Kontemporan.