*Shënim: Shkrim i ardhur në redaksi nga autori, i cili shpreh mendimin e tij dhe fakte që sipas tij janë të sakta.
Nga Ardit Kërtusha, ish-kandidat për PS Durrës
Fatkeqësitë njerëzore të qytetit bregdetar
Viti 2019 dhe në vazhdim do të mbahet mend si viti ogurzi i qytetit të Durrësit, ku periudha ogurzeze filloi në qershor në zgjedhjet për kryetar bashkie, pasoi në nëntor me tërmetin, më pas shaqet virusi famëkeq COVID-19 dhe vazhdon me dorëheqjet dhe emërimet e kryetarëve të bashkisë së qytetit të Durrësit.
Është një kronologji me hark të shkurtër kohor por me efekte të gjata negative të cilat po rrënojnë cdo ditë edhe më shumë qytetin mijëra vjeçarë të Durrësit.
Sikur mos të na mjaftonin fatkeqësitë natyrore të cilat janë të paparashikueshme dhe përtej dorës së njeriut Durrësin po e rrënon çdo ditë e më shumë faktori njeri, i cili po e drejton në mënyrën më të keqe të mundshme këtë qytet. Jo më kot në kryefjalë të këtij shkrimi përmendëm muajin qershor si pikënisje të kësaj tragjedie.
Është ky muaj pasi në këtë muaj u bënë zgjedhjet bashkiake ku pas një sërë polemikash për drejtimin e këtij qyteti, zoti Dako kërkonte një mandat të 4-ët.
Por Amerika ishte shprehur qartë se ky ishte një figurë e padëshirueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjë që nderlikoi vendimarrjen e cila ishte e paracaktuar për një rikandidim tjetër të Dakos jo për punët e mira në qytet, por për lidhjen shoqërore të tij me kryeministrin.
Të ndodhur përballë kësaj situate dhe në emergjencë kohore si dhe në panik pushteti Z.Dako na zgjedh për kandidate fituese (theksojme që në këtë vit nuk pati garë elektorale) një zonjë jashtë rradhëve të Partisë Socialiste që për çudi të fatit na kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Tatim-Taksave të këtij qyteti dhe ishte komentuar jo pak nga qytetarët për abuzime e shpërdorime.
Por ajo vazhdonte e qetë mbajtjen e asaj Drejtorie për shkak të marrëdhënive të konsoliduara me kryetarin e bashkisë të aso kohe. Nga frika e pushtetit (trashëgimisë së tij) u veprua shumë shpejt dhe na servirën këtë emër ne fillim në parti më pas në qytet. Reagimet e partisë qenë të ashpra pasi ky emër as nuk u propozua nga Kryesia dhe as u miratua nga to.
Të friksuar dhe të bindur para pushtetit të gjithë e pranuan. Deri këtu mire, por pa kaluar dy muaj nga fitorja e zonjës Sako na filloi përplasja Sako –Dako.
Të gjithë u habitëm pasi vetëm para dy muajve ajo ishte kandidatja ndërsa sot u bë armikja e partisë. Nuk dua ti futemi analizës së çarjes së kësaj marrëdhenieje se nuk është në interes të askujt, pasi ajo duket qartazi që ishte prishje pazaresh ekonomike dhe jo politikash zhvillimore për qytetin.
Ajo që ne si qytetar na intereson është që kjo çarje solli një anarshi totale në institucionin më të lartë qeverisës së qytetit, në Bashkinë Durrës. U krijuan dy grupe një grup Dako dhe një Sako te cilët filluan luftën midis tyre. Si pasojë askush nuk e kishte mendjen në ngjarjet e qytetit, hallet dhe problematikat e qytetarëve pasi ishin sy e vesh se si po vazhdonte përplasja dhe sa ishte rezultati.
Kulmi arriti pas ngjarjeve të tërmetit të nëntorit ku vet kryeministri pa që kishte një çorganizim total në këtë institucion dhe armiqtë e Sakos ja servirën si të vetme mundësi kryeministrit, largimin e saj për përballimin e situatës. Dhe keshtu u bë, mënjëherë u zëvendesua me nënkryetarin më besnik të Dakos, z.Varfi.
Me ardhjen e tij edhe pse me problematika të mëdha në qytet filloi prapë vargu i hakmarrjeve duke shkarkuar dhe ulur në detyra mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e znj.Valbona Sako. Ndërsa qytetarët bridhnin pa fund me letra dhe formula nga njëra zyrë tek tjetra pa marrë zgjidhje për problemin e tyre jetësor strehimin.
Janë mbushur emisionet investigativë të Shqipërisë vetëm me denocime nga qytetarë durrësak të cilët në pamundësi për të gjetur të drejtën, janë drejtuar këtyre emisioneve.
Na është bërë shprehja DS3, DS4 si formula H2O aq shpesh po i dëgjojmë dhe aq shpesh komisionet e bashkisë po i ndërrojnë.
Sot na dha dorëheqjen dhe Zhuljen Varfaj nga drejtimi i bashkisë Durrës, pasi fjalët kishin mbi një muaj që qarkullonin mbi këtë dorëqytet.
Persëritet historia si me Sakon ku i deleguari jep urdhra nga shtëpia ndërsa të komanduarit nuk pranojnë t’i firmosin ato në zyrë.
Pra është ky konflikt esencial i cili po vazhdon të prishi një bashkëpunim dhe tani një miqësi të vjetër. E rëndësishme është që njeriu e kupton që doreheqja është më e mirë se burgu.
Pyetja jonë si qytetarë është po e njëjta: Pse?
Ç’po bëhet me qytetin tonë dhe sa do vazhdohet drejtimi i këtij qyteti me delegim nga i Deleguari i partisë?
Të ndodhur përballë kësaj situate kur njerëzit janë cdo ditë në rradhë për të marë përgjigje dhe shërbime në këtë institucion, dhe kur akoma nuk kanë zgjidhur problemet e tërmetit i kërkojmë Presidentit të Republikës dhe palëve politike të mblidhen dhe të dekretojnë datat e zgjedhjeve në qytetin e Durrësit dhe në qytete të tjera në situatë të njejtë me tonin.
Përmendim qytetin e Shkodrës ku situata është akoma edhe më e zymtë se sa ketu, ku Kryetarja e atjeshme nuk është në gjendje të zbatojë masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Shpresojmë që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejt dhe të harrohet sa më shpejt ky rrënim apo masakër që po i bëhet qytetit tonë nga keq drejtimi.