Sot është i padisku tueshëm në rolin e tij, përkundrazi,është Liverpuli që trembet nga klubet që mund të tentojnë ta joshin. Por në fillimet e tij në “Anfield Road”, Jyrgen Klop ka pasur frikë nga shkarkimi, madje uështë lutur pronarëve për kohë për të rregulluar situatën në klub pasi trashëgoi stolin e “Reds”-ave nga Brendën Roxhers në vitin 2015. Tekniku gjerman premtoi se ai do t’i kthente dyshuesit në besimtarë dhe e bëri, por 5 vite më parë nuk gëzonte të njëjtin status si sot.

“Ishte e qartë që ne kishim nevojë për kohë dhe nuk mund ta ndreqnim situatën brenda një nate. M’u desh të kërkoja kohë dhe ajo m’u dha. Gjatë karrierës sime nuk jam shkarkuar kurrë, por e dija se te Liverpuli isha në një tjetër nivel dhe nëse nuk do isha i suksesshëm këtu në një kohë të shkurtër, atëherë do të shkarkohesha. Prandaj në ditët e mia të para këtu thashë se nëse do të qëndroj ulur në këtë stol për 4 vite, atëherë diçka e bukur do ketë ndodhur.

Por unë nuk kërkova 4 vite, por vetëm pak kohë”, tregon ai në  një intervistë për ishmbrojtësin e Liverpulit, Xhemi Karrager, në “Sky Sports”. Ish-trajneri i Borusias së Dortmundit e mori drejtimin e skuadrës angleze nga Roxhers pas vetëm 8 ndeshjesh të sezonit 2015-’16, ndërsa “Reds”-at renditeshin në vend të 8-të në Premier Ligë. Skuadra dha sinjale pozitive që në fillim me fitoret në transfertë me Mançester Sitin dhe Çelsin, por pësoi një humbje në shtëpi me Kristal Palasin dhe mori një barazim me Uest Bromuiçin. Gjithsesi, tekniku thotë se ai mori menjëherë mbështetjen e pronarëve të “Fenway Sports Group”.

“Ne e morëm atë kohë dhe e bukura ishte pas 7-8 ndeshjesh, ku pronarët tanë ishin me të vërtetë pozitivë për situatën time dhe të stafit, ndërsa pas po kaq ndeshjesh, ata e dinin se ne ishim në rrugën e duhur. Prej atij momenti dhe në vazhdim, ata nuk na vunë më asnjë sekondë në dyshim. Pas kësaj, ishin plot besim te ne dhe thanë se kjo është rruga që duhet të ndjekim dhe gjithçka do të jetë në rregull”, shtoi Klop. Megjithatë, ai i humbi tri finalet e para në stolin e të kuqve: atë të Kupës së Ligës, Ligës së Europës dhe Ligës së Kampioneve, por këmbëngul se nuk ka qenë kurrë në presion.

“Ne nuk mendonim kurrë se do të humbnim finale si ato kundër Mançester Sitit, Sevijes dhe Realit të Madridit. Opinionistët thonë: ‘Nëse nuk fiton ndeshjen e radhës, atëherë trajneri duhet hequr’. Por askush brenda klubit nuk e ka menduar kurrë këtë”, nënvizoi Klop duke shtuar se Liverpuli i tij këtë sezon, që ka dominuar Premier Ligën +25 pikë i shkëputur nga vendi i dytë dhe ndodhet vetëm 6 pikë larg titullit të parë kampion pas 30 vitesh, nuk është ende një skuadër perfekte, ndonëse një vit më parë triumfoi në Champions:

“Kjo skuadër nukështë një produkt i përfunduar. Ne nuk do të bëjmë ndryshime, por nëse do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm varet nga ajo që bëjnë edhe klubet e tjera, sepse të gjithë kanë shansin të përmirësohen. Kështu që nuk di se çfarë rezervon e ardhmja për ne. Ne kemi ende shumë vend për përmirësim dhe po punojmë për këtë. Kemi gjak të freskët në skuadër dhe mund ta përmirësojmë më tej ekipin”.Duke reflektuar për krizën e Koronavirusit, me Bundesligën që mund të rinisë më 9 maj, ish-trajneri i Dortmundit dhe Maincit thotë se stërvitja në Angli mund të rinisë vetëm kur të garantohet siguria e lojtarëve.

“Të shohim. Gjermania është shumë optimiste që do të nisë në mes të majit.Ne e dimë se çfarë duam. Gjëja e parë që ka rëndësi është që të gjithë të jenë të sigurt, prandaj gjithçka do të bëhet në përputhje të plotë me udhëzimet e qeverisë. Në momentin kur do të jetë e mundur stërvitja përsëri, atëherë ne do tënisim. Ne jemi të gjithë në shtëpi, të izoluar dhe nuk kemi raste infektimesh”, përfundoi 52-vjeçari.