Tenisti serb, Novak Xhokoviç është kundër vaksimit të detyruar dhe kjo gjë mund ta shtyjë atë t’i japë fund karrierës në tenistin profesionist.
Të gjithë lojtarëve të tenisit u është bërë thirrje të vaksinohen kur të rinisë sezoni, edhe pse shkencëtarët kanë paralajmëruar se zbulimi i vaksinës kundër Covid-19 është të paktën një vit larg.
Aktualisht numri “1” i tenisit në renditjen e ATP ka mjaft dyshime sa i përket mundësisë për t’u vaksinuar. Në një bashkëbisedim me fansat në Facebook, serbi u shpreh:
“Personalisht e kundërshtoj vaksinimin dhe nuk dua që dikush të më detyrojë ta marr një vaksinë në mënyrë që të jem në gjendje të udhëtoj. Por nëse vaksina bëhet e detyrueshme, çfarë do të ndodhë?
Mua do të më duhet ta marr një vendim. Unë i kam mendimet e mia për këtë çështje dhe se a do të ndryshojnë këto mendime me kohën nuk e di. Teorikisht, nëse sezoni do të riniste në korrik, gusht apo shtator, edhe pse duket e pamundur, unë e kuptoj se vaksina do të jetë kërkesë menjëherë pasi ne të dalim nga karantina dhe vaksinë nuk ka ende.”





