Trajneri Edi Martini nuk pranoi të jepte një përgjigje, ndërsa ishte ndihmësi i tij, Bledar Hodo që bëri një koment.

Për zv.trajnerin e Teutës, nëse kjo situatë zgjat, atëherë do të ishte më e ndershme të mbyllej këtu kampionati.Numri dy i durrsakëve sqaroi se stafi i Teutës ka bërë gjithçka në këto kushte të vështira për t’i ndihmuar lojtarët të stërviten me ato mundësi që kanë.

“Nuk kemi ende një përgjigje zyrtare se kur mund të rifillojmë stërvitjen në grup dhe më pas kampionatin. Ne po bëjmë maksimumin me futbollistët që kemi në Durrës, duke u bërë stërvitje individuale. Nëse kjo periudhë zgjat akoma edhe disa ditë, atëherë në të tilla kushte, për sigurinë e lojtarëve, do të ishte më mirë ndërprerja e kampionatit. Dëshira është që të luhet futboll, por nuk e kemi ne në dorë”, ka thënë fillimisht Hodo.

Ndërsa i pyetur për kohën që i duhet ekipit për të qenë gati në javët e mbetura, numri dy i pankinës tha:

“Me një pjesë të futbollistëve që jetojnë në Durrës, mendoj që janë gati, sepse i ndjekim çdo ditë në stërvitjen individuale që bëjnë. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do një kohë të paktën dy javë stërvitje për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh Hodo.