Renato Arapi pret çdo vendim që mund të merret për kampionatin, pasi thekson se situata mbetet e paparashikueshme. I pyetur për periudhën se kur mund të rifillojë futbolli i luajtur, kapiteni i Teutës jep një përgjigje të sinqertë:
“Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur në këtë moment. E rëndësishme është që ne të jemi gati edhe nëse kampionati rifillon”.
Ndërkohë, në ndryshim nga skuadrat e tjera, në këtë periudhë futbollistët e Teutës kanë shfrytëzuar kushtet duke u stërvitur të ndarë në disa grupe.
“I gjithë ekipi ka marrë një program individual dhe çdo futbollist është duke e zbatuar. Duke parë që skuadra është duke e ruajtur gjendjen fizike, besoj se të paktën një periudhë dyjavore do të ishte e domosdoshme për të rinisur kampionatin”, përfundoi mbrojtësi durrsak.





