Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se kryeministri Edi Rama ka 7 vjet që iu tregon shqiptarëve burgun dhe gjobat dhe po e bën dhe tani në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas Bardhit, në vend të testimeve dhe në vend të ndihmojë realisht bizneset, Rama krenohet me gjobat për popullin.

“Ka 7 vjet që u tregon shqiptarëve burg dhe gjoba dhe vazhdon ta bëjë edhe tani, kur qytetarët nuk kanë siguri as për shëndetin, as për punën, as për bukën e gojës. Në vend të testimeve, siç bën bota, Edi Rama flet për burg. Në vend të ndihmojë realisht bizneset që të mos mbyllin vendet e punës, Edi Rama krenohet me gjobat që i vendos popullit. Gjoba dhe burgu është alternativa e vetme që ka Edi Rama për qytetarët. Lekët janë për oligarkët e koncesioneve”, shkruan Bardhi.