Koronavirusi vazhdon të jetë një problem i madh për gjithë botën, teksa regjistrohen raste të shumta të prekurish dhe viktimash.

Si pasojë e kësaj edhe futbolli është pezulluar, së bashku me të edhe stërvitjet e ekipeve, teksa ende nuk dihet se kur do të rinisin. Megjithatë polemika të shumta kanë shpërthyer në Itali, për shkak se dy lojtarë të Romës janë filmuar duke u stërvitur së bashku me trajnerin e atletikës së verdhekuqve, teksa më vonë video është fshirë.

Kjo është raportuar nga një tifoz i Lacios i quajtur Alesandro, i cili për “Radio Incontro Olympia” u shpreh: “Të premten e kaluar unë po shkoja në punë dhe rastësisht pashë Xhekon dhe Perotin teksa po stërviteshin nën praninë e trajnerit atletik. Menjëherë unë nxora telefonin dhe bëra video, të cilën ia u nisa miqve të mi dhe më pas njëri prej tyre e postoi atë në “Facebook”.

Nuk kam shpikur asgjë, nuk kisha arsye pse ta bëja këtë. Unë në atë moment isha me maskë dhe doreza. Unë bëra videon dhe në fund duke thirrur ‘Forca Lacio’, u largova”, u shpreh tifozi.